Në Shqipëri hyn në fuqi ulja e çmimit të energjisë

Data 1 shkurt në Shqipëri, shënon hyrjen në fuqi të çmimeve të reja të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë, teksa ulja e tarifave do të reflektohet te fatuarat që do të paguhen në muajin mars.

Sipas tarifave të reja, familjet që konsumojnë deri në 700 kWh në muaj, do ta paguajnë energjinë me 8.5 lekë/kWh – pa TVSH, raporton Scantv. Ndërkohë që për familjet me konsum nga 701 kWh në muaj e më tej, nuk ka asnjë ndryshim, pasi çmimi do të vijojë të jetë 9.5 lekë/kWh – pa TVSH.

Sipas përllogaritjeve, nga skema e re e tarifimit përfitojnë familjet që aktualisht kanë fatura energjie deri në 8 mijë lekë në muaj, të cilët për të njëjtën sasi energjie të konsumuar do të paguajnë rreth 10.5% më pak. Ndërkaq, sfidë mbetet faturimi mujor, në mënyrë që qytetarët të mos penalizohen, në rast të leximit të vonuar dhe kalimit të pragut prej 700 kWh.

Pak ditë më parë, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike bëri me dije se është hartuar një plan teknik që do të zbatohet me aplikimin e skemës së re të faturimit nga data 1 shkurt. Ndërkohë që një nga masat kryesore që ka ndërmarrë OSHEE Group për garantimin e leximit korrekt, është shtimi me 120 lexues të rinj, duke e çuar në 1000 numrin e punonjësve të leximit të energjisë elektrike në terren.