Shteti vazhdon të marrë vetura me qira- 3 milionë euro për një pjesë të tenderit

Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), nën Ministrinë e Financave dhe Transferimeve (MFPT), e drejtuar nga ministri Hekuran Murati, ka pranuar ofertat për marrjen e veturave me qira në vlerë rreth 3 milionë euro. Kjo pjesë e tenderit tregon angazhimin e vazhdueshëm të shtetit në këtë fushë. Vitin e kaluar, AQP realizoi kontrata të ngjashme për marrjen e veturave me qira dhe blerjen e veturave të reja, me një vlerë prej disa miliona euro, shkruan Demokracia.com.

Në fund të vitit të kaluar, AQP hapi një tender në vlerë prej rreth 5 milionë euro për furnizimin me vetura për nevojat e institucioneve shtetërore. Fituesit për dy prej këtyre lotëve janë kompanitë “Auto Mita” SH.P.K. për Modelin 3 në vlerë prej 1,107,000.00 euro dhe “Mercom Auto” SH.P.K. për Modelin 4 në vlerë prej 1,920,000.00 euro.

Lotët e tjera u anuluan për shkak të mungesës së ofertave të përgjegjshme.

Kontratat parashikojnë furnizimin me qira të 235 veturave për një periudhë 60-mujore, por janë kontraktuar vetëm 180 vetura deri tani.

Në një periudhë kur nevojat për investime kapitale në infrastrukturë dhe shërbimet bazike janë akute, shpenzimet e konsiderueshme për vetura zyrtare shfaqin pyetje në opinion.

Në këtë kontekst, është e rëndësishme të theksohet se investimet kapitale për infrastrukturën publike, si rrugët, shkollat dhe objektet shëndetësore, vazhdojnë të jenë të pakta.

Në vitet e fundit, AQP ka lidhur marrëveshje me vlerë milionëshe për furnizimin me vetura për institucionet publike. /Demokracia.com/

Shteti harxhon 4.4 milionë euro për blerjen e veturave të reja