Pak ditë para zgjedhjeve, Posta shpërblen punëtorët me nga 100 euro

Bordi i Postës së Kosovës, i emëruar nga Qeveria Kurti, ka vendosur të shpërblejë rreth një mijë punëtorë me nga 100 euro secili, shkruan Demokracia.com.

Ky vendim, i marrë vetëm një javë para zgjedhjeve parlamentare,  nxitë dyshime se mund të jetë motivuar nga interesa elektorale.

“Bordi i Drejtorëve, pas mbledhjes së rregullt të mbajtur më 23.01.2025, ka shqyrtuar pikën “Shqyrtimi i dhënies së bonusit për punëtorët e Postës së Kosovës”. Pas vlerësimit të zhvillimeve pozitive në ndërmarrje, progresit të arritur deri më tani dhe proceseve që priten të realizohen në të ardhmen, si dhe duke marrë parasysh faktorë të rëndësishëm si inflacioni dhe rritja e kostove të jetesës, Kryeshefi Ekzekutiv ka propozuar dhënien e një bonusi për të gjithë punëtorët e ndërmarrjes. Bordi i Drejtorëve, duke shqyrtuar këtë propozim dhe duke marrë parasysh mundësitë financiare të ndërmarrjes, ka miratuar dhënien e një bonusi prej 100 euro bruto për të gjithë punëtorët që kanë marrëdhënie pune të rregullt dhe aktive. Ky bonus ka për qëllim rritjen e motivimit dhe angazhimit të punëtorëve, duke mbështetur projektet e ndërmarrjes dhe duke kontribuar në përmirësimin e performancës dhe zhvillimin e saj të vazhdueshëm. Në bazë të këtij vendimi, ekzekutimi i mjeteve për këtë bonus do të bëhet me pagën e muajit janar 2025, nga shpenzimet e buxhetuara të personelit për vitin 2025. Vendimi hyn në fuqi menjëherë, thuhet në vendimin që ka parë Demokracia.com.

Nënshkrues i vendimit është Gezim Paci, Kryesues i Bordit të Drejtorëve.

Ndikimi politik dhe punësimet në Postën e Kosovës

Kryeministri Albin Kurti ka vizituar disa herë Postën e Kosovës gjatë katër viteve të fundit, ndërsa bordet e emëruara në këtë ndërmarrje publike kanë qenë të afërta me Vetëvendosjen.

Kryetarët e bordeve, Mentor Arifi dhe Fadil Bejta, kanë pasur lidhje të drejtpërdrejta me këtë parti, i pari si kryetar i degës së Vetëvendosjes në Istog, dhe i dyti si donator financiar i saj.

Përveç bonuseve, gjatë katër viteve të fundit, Posta e Kosovës ka qenë një hapësirë ku janë punësuar dhe avancuar persona të lidhur me partinë në pushtet ose me familjarë të tyre. Ish-ushtruesi i detyrës së Kryeshefit, Sali Morina, i cili dikur kishte dhënë një lokal të tij për zyra të Vetëvendosjes, është një nga figurat që është parë aktiv në fushatat zgjedhore të kësaj partie.

Po ashtu, Fakete Kadiu, një tjetër ushtruese detyre si Kryeshefe, është përfshirë në vendime të kontestuara, përfshirë largimin nga puna të bashkëshortes së heroit të kombit, Ilaz Kodra.

Menaxhmenti dhe bordi i emëruar nga Qeveria Kurti kanë vazhduar të avancojnë njerëz të afërt me Vetëvendosjen dhe partinë Guxo, duke i vendosur në pozita të rëndësishme pa ndjekur procedura transparente të konkurrencës.

Ndër personat e përfshirë janë:

Florent Tahiraj

Mjellma Vokshi

Saranda Ademi

Ferki Maxhuni

Petrit Karakashi

Të cilët marrin paga mbi 1500 euro në muaj.

Në mesin e të punësuarve me lidhje politike janë edhe:

Genc Çeku, vëllai i ministrit të Kulturës Hajrulla Çeku

Kunati i ministres Albulena Haxhiu

Këshilltarë politikë të kryeministrit Kurti dhe ministres Donika Gërvalla, siç është rasti i Luan Isufajt

Ristrukturimi i kontestuar dhe ndikimi politik

Gjatë viteve të fundit, mediat kanë raportuar për dhjetëra raste të punësimeve me ndikim politik në këtë ndërmarrje, ku emrat e familjarëve të zyrtarëve të lartë të Vetëvendosjes janë bërë të njohur për publikun.

Për më tepër, procesi i ristrukturimit të Postës është përcjellë me dyshime, pasi për të është paguar një konsulent i jashtëm me 8 mijë euro për disa ditë punë në një periudhë dy mujore, ndërsa raporti i tij ende mbahet sekret.

Për menaxhimin e ndërmarrjes dhe zbatimin e politikave të qeverisë, Kryeshefja Ekzekutive Nora Rraci ka luajtur një rol kyç. Ajo u zgjodh në këtë post pas një karriere në ProCredit Bank, institucion ku u akuzua për largimin nga puna të dhjetëra punëtorëve shqiptarë.

Përveç saj, edhe bashkëshorti i saj, Genc Rraci, ka përfituar nga ky pushtet, duke u emëruar kryesues i Bordit të Këshillit Kosovar për Raportim Financiar dhe, më vonë, drejtor i Inteligjencës Financiare. /Demokracia.com/