Policia e Kosovës sot ka njoftuar se dy vajza në Kaçanik kanë raportuar se janë dhunuar seksualisht nga një burrë, i cili është arrestuar më 21 janar. Ndërkaq, dhunimi dyshohet se ka ndodhur nga viti 2012-2019.
“Kaçanik / 2012-2019. Më 21.01.2025 dy viktimat femra kosovare kanë raportuar se janë dhunuar seksualisht nga i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari me 29.01.2025 është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, tha policia në raport.
Ndërkaq, Prokuroria në Ferizaj e ka konfirmuar për KALLXO.com se në kohën kur dyshohet se është kryer vepra penale, viktimat kanë qenë të moshës së mitur.
I dyshuari për kryerjen e dhunimit është arrestuar disa ditë më vonë, më 29.01.2025. Me vendim të prokurorit ai është dërguar në mbajtje.
KALLXO.com mëson se viktimat janë familjare mes vete dhe po ashtu kanë lidhje familjare me të dyshuarin, ndërsa mëson se i dyshuari është mbrojtur në heshtje para Policisë së Kosovës.
Vjosa Baftiu, zëdhënëse në Prokurorinë e Ferizajt tha se kanë bërë kërkesën për caktimin e paraburgimit. Ndërsa, më 31.01.2025 do të mbahet seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit.