E injoroi apo e harroi, kjo i mbetet kohës ta dëshmojë, mirëpo një gjë është e sigurt – kryeministri Kurti zgjodhi të mos i jepte rëndësi rrugës Prishtinë-Mitrovicë në tubimin që pati në qytetin, emrin e të cilit e lakoi shumë herë gjatë këtij mandati katër vjeçar.
Kishte filluar që në vitin 2009, dhe sot kur jemi në fillim të 2025-ës, pra 15 vite pas, dhe në “luftën” për të marrë pushtetin për katër vite të tjera, xhipat e zinj të kryeministrit, në tubimin e tyre në Mitrovicë, shkuan përmes rrugës së papërfunduar, aks rrugor ky i cili pritet t’i kushtojë buxhetit të shtetit dhjetëra miliona euro, raporton KIKS Kosova.
Por, kryeministri në këtë tubim, zgjodhi të japë premtime të reja…
Jo shumë larg ditës së sotit, në fund të 2024-ës, kryeministri shprehej i vendosur se kjo rrugë do të përfundojë.
Nyja e krejt kësaj rruge që nuk po del se çka e përfundon, është segmenti Smrekonicë – Mitrovicë, konkretisht rruga Mitrovicë-Vushtrri.
Rrjedhimisht, banorët e kësaj zone ende vazhdojnë të maltretohen duke shkuar përmes rrugës së vjetër.
Projekti, që mban emrat e tre heronjve “Zahir Pajaziti”, “Hakif Zejnullahu” dhe “Edmond Hoxha”, qytetarëve të cilët e bëjnë këtë rrugë çdo ditë, madje edhe dy e tri herë në ditë, iu është bërë ferr e monotoni.
Në këtë aks rrugor, ku kanë mbetur diku rreth 10 kilometra të papërfunduara prej 40 sosh sa i kishte i gjithë projekti i rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë, kishte pasur lote e faza të ndryshme të punimeve që përfshijnë pjesën prej Smrekonicës së Mitrovicës deri në Lumëmadh, në hyrje të Prishtinës.
Njëjtë edhe për këtë projekt, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu nuk kishte pranuar që të flasë për data se kur mund të përfundojë kjo rrugë, kur ishte pyetur në Kuvendin e Kosovës më 2022-ën.
Ndëshkimi i parë për këtë zvarritje u dha në fillim të vitit 2023. Në shkurt të atij viti, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, njoftoi se kjo ministri ia ka shkëputur kontratën konsorciumit “JV PE-VLA-KU Sh.p.k. PATISHTA”, me arsyetimin se nuk i është përmbajtur kontratës së këtij projekti.
E një muaj më vonë, në mars të 2023-ës, ministri Liburn Aliu kishte njoftuar për hapjen e konkursit për konsulentë për këtë projekt dhe më pas për kompanitë që do i mbikëqyrin punimet.
Ndryshe nga shefi i tij, zëvendësministri Hysen Durmishi, më 8 shkurt të 2024-ës, kur ishte nënshkruar kontratë e re për problemin 15 vjeçar të Kosovës, iu kishte referuar si plan dinamik dhe kishte prekur pjesën më të ndjeshme, mërgatën, duke thënë se po përpiqen që të paktën kur ata të vijnë në Kosovë, pjesa e rrugës të jetë e përfunduar.
Datë të përfundimit e kanë problem të japin. I tillë ishte edhe fjalimi i kryeministrit në një video tjetër të publikuar në profilin e tij në Facebook, kur kishte folur për po këtë rrugë.
Ndonëse ekskavatorët dhe kamionët çdo ditë marrin po të njëjtin drejtim, kujtojmë edhe sakrificat që qytetarët e asaj ane bënë për përfundimin e këtij projekti.
Ishte Osman Begaj, ai që u përball me presione të hatashme në mënyrë që të lëshonte shtëpinë e tij për urën që do të ndërtohej në atë pjesë.