Sulmi fizik nga shoku i klasës, nxënësit detyrohen ta bojkotojnë mësimin

Pa nxënës tash e tri ditë, është klasa e 6-3 në shkollën “Dardania’ në kryeqytet.

Kjo si rezultat i bojkotimit të mësimit nga ana e prindërve të nxënëseve të kësaj klase.

Sipas tyre, deri tek ky vendim erdhën nga mosveprimi i stafit të shkollës ndaj një nxënësi të kësaj klase, që prindërit pretendojnë se ka sjellje agresive karshi fëmijëve të tyre.

“Fëmija im vazhdimisht ka qenë në këtë klasë, kohë pas kohe është sulmu nga shoku i klasës, e kemi injoru jemi mundu me forma të mira mirëpo para 3 4 dite është sulmu dhe e ka godit në kokë e ka godit edhe në fytyrë, djali është vetëmbrojt, pasi i ka pajtu drejtori prapë e ka sulmu”, ka deklaruar një prindër.

Prindërit kërkojnë që të merren masa të përhershme e jo të përkohshme siç ka ndodhur në të kaluarën.

“Njëherë është suspendu prej shkollës prej dy javë, klasa komplet ka qenë në qejf është zhvillu mësimi normal, fëmijët tonë kanë ardh me qejf në shkollë. Sot unë nuk mundem me detyru djalin tim se vjen me stres sepse përfundon i rrahur. Ka ra edhe niveli i mësimit”.

Drejtori i kësaj shkolle, Besim Gashi u bënë thirrje prindërve të rikthejnë fëmijët në klasë dhe sipas tij, në këtë formë japin shembull solidariteti dhe mirëkuptimi.

“Ne si shkollë kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për rastin në fjalë, por kërkesa e tyre bie ndesh me rregullat dhe ligjet tona. Për më tepër, në raste të tilla duhet të tregojmë përkrahje dhe të mos lejojmë që të arrijë në këto nivele, ku pa dyshim mendojmë se dëmtohet më së shumti shëndeti mendor i fëmijëve tanë. Bojkoti nuk është zgjidhje; zgjidhja qëndron te bashkëpunimi dhe pranimi në rrethin tonë i të gjithëve pa dallime”, ka deklaruar ai.

Edhe Drejtoria e Arsimit në Prishtinë thonë se janë duke trajtuar rastin në fjalë.

“Një komision i DKA-së është duke u marrë me rastin, duke bashkëpunuar ngushtë me drejtorinë e shkollës dhe Qendrën për Punë Sociale (QPS). Rasti po trajtohet me seriozitet të lartë, duke marrë parasysh sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve”.

E në këto raste, zgjidhja e vetme po shihet të jetë angazhimi i një asistenti për fëmijën.

“Në raste të tilla duhet padyshim të bëhen përpjekje që të gjendet një mundësi angazhimi të një asistenti e cila ose i cili do të ndihmonte fëmijën me qasjen që ka ai që ta tejkalojë atë gjendje të këshillohet me psikologun dhe të merr tretman profesional prej personelit mjekësor apo ekipeve të personelit mjekësor”, ka thënë njohësi i arsimit, Argjend Osmani.

Sipas tij këtë zgjidhje në dorë e ka Drejtoria e Arsimit e cila siguron fonde për punësimin e një asistente.

Televizioni ka tentuar të flasë edhe me njëri nga  prindërit e nxënësit por i njëjti nuk ka pranuar të flasë për rastin, vetëm ka thënë se nuk është në dijeni për rastin në fjalë.