Të premten në Zubin Potok, në veri të Kosovës ndodhi një shpërthim i fuqishëm në kanalin e “Ibër Lepencit”, duke shkaktuar panik dhe dëme të konsiderueshme.
Incidenti i cili ndodhi në një zonë me tensione të larta, ka ngjallur reagime të forta nga autoritetet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare. Sulmi ka mundur të rrezikoj furnizimin me ujë dhe energji elektrike, ndërsa hetimet për autorët dhe motivet e këtij akti të dhunshëm janë në vazhdim.
Ky sulm vjen pas një periudhe të gjatë tensionesh mes Kosovës dhe Serbisë, duke rritur shqetësimet për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Njohësit e fushës së sigurisë në Kosovë kanë komentuar shpërthimin e fundit në Ndërmarrja Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”, duke theksuar rrezikun që ky sulm ka për sigurinë energjetike dhe furnizimin me ujë të Kosovës.
Elezi: Shpërthimi në Ibër Lepenc ishte goditje e fuqishme për energjinë dhe ujin, dështim i institucioneve për të siguruar informacionet
Njohësi i sigurisë, Bedri Elezi, ka komentuar shpërthimin e fundit në hidrocentralin Iber Lepenc, duke e cilësuar atë si një goditje të fuqishme ndaj Kosovës, veçanërisht në fushën e energjisë dhe furnizimit me ujë.
Ai ka theksuar për “Front Online” se ky sulm kishte si synim dëmtimin e ekonomisë së Kosovës dhe ndikimin në jetën e qytetarëve.
“Ishte goditje e fuqishme për ta dëmtuar Kosovën në çështjen e energjisë dhe ujit për një numër të qytetarëve të madh, pat përpjekje për ta rrënuar ekonominë e Kosovës”, deklaroi Elezi.
Sipas Elezit, institucionet e sigurisë kanë dështuar që të sigurojnë më herët informacionin e shpërthimit.
“Inteligjenca e Kosovës dhe njësitë e veçanta të policisë që merren me parandalim kanë dështuar për të siguruar në kohë reale informacionet se mund të ndodhë një gjë e tillë”, theksi Elezi për “Front Online”.
Elezi gjithashtu ka kritikuar faktin se ndërsa Kosova shpall organizatat terroriste si kërcënim për sigurinë kombëtare, nuk ka arritur të sigurojë informacionet e nevojshme për të parandaluar veprimet e këtyre grupeve.
“Në rast se ne si shtet shpallim organizata terroriste dhe në anën tjetër nuk sigurojmë informacione për veprime kundër këtyre organizatave, me vetëdije apo pa, e kemi neglizhuar situatën”.
Për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen, Elezi ka bërë thirrje për një reformë serioze në institucionet që merren me sigurinë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
“Kemi pas përformancë të mirë në angazhim për t’i sajuar problemet që kemi pas në rastin e Banjkës dhe Ibër Lepencit. Institucionet duhet të futen në një reformë serioze që aktivitetet të jenë komfor detyrave dhe përgjegjësive që kemi për parandalimin e sulmeve të tilla”, përfundoi Elezi.
Avni Islami: Sulmet nga Serbia janë të vështira për t’u parandaluar
Njohësi i sigurisë, Avni Islami ka komentuar mbi shpërthimin e së premtes në kanalin e Ibër-Lepencit, duke vlerësuar se këto sulme janë të vështira për t’u parandaluar në thellësi.
Sipas Islamit, pavarësisht vështirësive, institucionet e Kosovës kanë arritur të minimizojnë pasojat e këtyre sulmeve, duke parandaluar dëme të mëdha.
“Këto sulme janë shumë të vështira që të parandalohen në thellësi. Suksesi ka qenë angazhimi i institucioneve që nuk kanë lejuar që pasojat të jenë më të mëdha. Ata kanë ndaluar këtë dëme, duke ditur që korporata energjetike e Kosovës varët nga uji i cili vjen në Iber-Lepenc, dhe një pjesë e madhe e popullatës e përdorin për ujë të pijes”, deklaroi Islami.
Në lidhje me masat që duhet të merren për të parandaluar sulme të tilla në të ardhmen, Islami ka kërkuar që të rishikohet strategjia e sigurisë për objektet kritike në Kosovë.
“Duhet të shikohet strategjia e sigurisë për objektet kritike, që të vihen në vëzhgim të plotë. Duhet bërë një vlerësim dhe të jenë nën kontroll objektet, sidomos në veri, por edhe në të gjithë Kosovën”, ka shtuar Islami, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së objekteve të rëndësishme për sigurinë kombëtare dhe për jetën e qytetarëve.
Shala: Sulmi në Ibër Lepenc, pjesë e një plani të Serbisë për të destabilizuar Kosovën dhe rajonin
Njohësi i sigurisë, Drizan Shala ka komentuar për “Front Online” mbi sulmin e fundit ndaj shpërthimit në “Ibër Lepenc”, duke theksuar se ky veprim është i organizuar nga struktura kriminale të Serbisë me synimin për të dëmtuar sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës.
Sipas Shalës, ky është një përpjekje për të aneksuar pjesën veriore të Kosovës përmes një “lufte hibride” që po zhvillohet në këtë rajon.
“Kemi të bëjmë me një veprim nga strukturat kriminale të Serbisë që për synim kanë dëmtimin e infrastrukturës kritike. Kjo ka si qëllim aneksimin e pjesës veriore të Kosovës, përmes një forme të luftës hibride që po zhvillohet”, ka deklaruar Shala.
Shala ka theksuar se veprimet e institucioneve të sigurisë, përfshirë ato të Policisë dhe organeve të inteligjencës, kanë qenë të shpejta dhe profesionale.
“Institucionet kanë marrë veprimet e duhura pas rastit, dhe për ta evidentuar një rast të tillë, jo vetëm organet e institucioneve të Kosovës, por asnjë mekanizëm tjetër nuk mund ta kishte parandaluar këtë sulm”, tha ai.
Shala përfundoi duke theksuar se është e rëndësishme që institucionet e Kosovës të vazhdojnë të rrisin kapacitetet e mbrojtjes dhe sigurisë për të parandaluar veprime të tjera destabilizuese, duke iu përgjigjur kështu kërcënimeve të natyrave të ndryshme që mund të vijnë nga grupe të tilla kriminale apo shtete që duan të minojnë integritetin e Kosovës.
Arrestime në lidhje me shpërthimet në veri të Kosovës
Në një operacion që u zhvillua në shkallë të gjerë në veri të Kosovës gjatë gjithë ditës së shtunë, policia arrestoi tetë persona të dyshuar në lidhje me shpërthimin në kanalin e ujit në Ibër Lepenc, duke konfiskuar edhe sasi të mëdha armatimi, dhe pajisje tjera ushtarake, ndërsa të hënën është arrestuar edhe një person tjetër i dyshuar.
Autoritetet bënë të ditur, se policia dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) ka zhvilluar operacione në dhjetë lokacione në veri të vendit. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha, se tashmë janë identifikuar disa persona si të dyshuar të mundshëm për nxitjen e akteve të dhunës, organizimit apo ekzekutimit të sulmit të fundit dhe të tjerave në veri të vendit.