Kryeministri Kurti dënon sulmin në Zveçan: Nuk ka individ e as struktura që janë më të fuqishme se Kosova

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dënuar sulmet që po bëhen ndaj institucioneve në veri, derisa ka thënë se këto sulme kanë për qëllim vetëm të mbjellin frikë.

Kryeministri Kurti ka thënë se janë akte kriminale dhe terroriste me qëllim frike, por në Kosovë nuk mund të ketë asnjë individ apo strukturë më i fuqishëm së shteti i Kosovës.

“Keqbërës, ndonjë element terrorist nuk është që nuk ka, mirëpo strukturat paralele grupet kriminale që kanë qenë atje, ose kanë ikur në Serbi, ose janë në ndonjë burg në Kosovë ose strehohen diku jashtë rajonit tonë. Me fjalë të tjera nuk kemi burime të brendshme të destabilitetit potencial apo të kërcënimit të sigurisë të cilët nuk i menaxhojmë e nuk ia dalim në ballafaqim me ta. Besoj që këto janë shprehje e pafuqisë së tyre ndërkohë që janë akte kriminale e terroriste që kanë qëllim të ndjellin frikë. Mirëpo, tash në Kosovë nuk mund të ketë as individ, as grup, as strukur që është më i fuqishëm se sa shteti i pavarur i Kosovës, republika jonë demokratike e cila ngadhënjen rregullisht me fuqinë e ligjit të drejt”, tha Kurti.

Aktin e dënoi edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ministri ka pohuar se sulmet e ditëve të fundit ndaj institucioneve në veri janë shprehje e dëshpërimit dhe qyqarllëkut të bandave kriminale me dirigjim nga Beogradi.

“Në kohën kur po çmontohen ditë e më shumë, dëshpërimisht duan të tregojnë se ende janë këtu dhe të fortë. Por, ne jemi më të vendosur se kurrë deri në eliminimin e plotë të secilës grimcë kriminale e terroriste në vendin tonë”, ka pohuar ai.