Dje, në Hannover të Gjermanisë, u mbajt një tubim madhështor , organizuar nga Antik Strofci, nga fshati Strofc i Vushtrrisë, ku pjesëmarrës ishte edhe kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, shkruan Fokusi.info.
Ky event i jashtëzakonshëm shënoi një moment të rëndësishëm për diasporën shqiptare, duke shërbyer si një platformë për t’u njohur nga afër me programin politik të PDK-së dhe vizionin e saj për të ardhmen e Kosovës.
Tubim që dridhi Hannoverin
Ashtu siç pritej, ardhja e Bedri Hamzës mblodhi një numër të madh shqiptarësh, duke krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme. Gjatë këtij takimi, u diskutuan ide dhe plane për të ardhmen e Kosovës, duke theksuar rolin jetik të diasporës shqiptare në zhvillimin ekonomik dhe politik të vendit.
Mesazh nga organizatori, Antik Strofci
Në një mesazh pas tubimit, Antik Strofci shprehu falënderimet e tij për të gjithë pjesëmarrësit dhe përkushtimin e tyre ndaj Kosovës.
“Organizimi i këtij tubimi ishte një nder dhe privilegj për mua. Ishte një mundësi për të kontribuar në forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve jashtë atdheut dhe atyre që punojnë për një Kosovë më të mirë. Falënderoj të gjithë ata që iu përgjigjën pozitivisht këtij thirrjeje dhe që dëshmuan dashurinë dhe përkushtimin për të ardhmen e vendit tonë”, ka thënë Strofci.
Një mesazh shprese për Kosovën
Tubimi madhështor i PDK-së në Hannover u kthye në një dëshmi të qartë të mbështetjes që Bedri Hamza dhe Partia Demokratike gëzojnë në diasporë. Të pranishmit ndanë bindjen se Kosova meriton një qeverisje të mirëfilltë, që përfaqëson aspiratat e qytetarëve të saj.
“Ne sot për Bedriun, e Bedriu për Kosovën nesër!” ishte motoja që bashkoi të pranishmit, duke dëshmuar se çdo hap drejt progresit është një hap për një të ardhme më të ndritur për Kosovën./Fokusi.info/