Ka shkuar në dy numri i të vrarëve nga ngjarja e rëndë që ndodhi sot pasdite në qytetin e Klinës.
Siç merr vesh gazeta online Reporteri.net ka vdekur edhe personi i cili ishte i plagosur rëndë.
Nga Prokuroria në Pejë thanë për Reporteri.net se dy prokurorë të Krimeve të Rënda tashmë janë nisur për në vendin e ngjarjes.
“Dy prokurorrë të Krimeve të Rënda janë nisur për në vendngajrje.”, ka thënë shkurt zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.
Një i dyshuar për këtë rast tashmë është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Për ngjarjen ka folur edhe zëdhënësi i Policisë, Fadil Gashi.
Ai ka thënë se një person ka mbetur i vrarë si pasojë e të shtënave me armë zjarri në një lokal në Klinë në sheshin “Mujë Krasniqi”.
Lidhur me rastin, zëdhënësi Gashi tha se një i dyshuar është arrestuar.
“Rreth orës 17:15 policia është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në sheshin “Mujë Krasniqi” në një lokal sipas informatave të para një person është pa shenja jete vdekjen e ka konstatuar mjeku kujdestar, ndërsa një person tjetër është dërguar në emergjencë. Një i dyshuar lidhur me rastin është arrestuar”, ka thënë Gashi për Reporteri.net.