Vlerësimi i njohurive të nxënësve, bazuar në Udhëzimin Administrativ 06/2022

Shkruan: Burim Gjaka

Kur jemi në fund të periodës së parë të paraparë me kalendarin shkollor, në koluare të ndryshme krijohet një debat, se si duhet të bëhet vlerësimi i njohurive të nxënësve dhe se a ka nevojë të bëhet vlerësim në këtë kohë ose jo, pasi që po përfundon vetëm një dymujor. Problematike në të shumtën e rasteve po duket kushtëzimi për të pasur nota në terminale kohore të barabarta dhe poashtu përdorimi i të paktën 3 instrumenteve gjatë vlerësimit. Mu për këtë qështje Ministria e Arsimit ka hartuar U.A 06/2022, i cili megjithëse mund të kritikohet dhe mund të ketë mangësi, është një kornizë e mirë orjentuese rrethë këtij procesi. Në vazhdim do të mundohem të analizoj disa pika ( jo të gjitha) të këtij Udhëzimi, të cilat janë kyqe në këtë process, dhe ato janë: si duhet të bëhet vlerësimi i nxënësve me këtë Udhëzim, kur duhet të bëhet vlerësimi, si duhet të jetë ai, si nxirret nota përfundimtare dhe të drejtën e ankimimit nëse veç mund të ndodhë.

Natyrisht se Udhëzimet Administrative nuk janë gjithmonë të përpikëta, mirëpo kur ato hynë në fuqi, duhet të zbatohen, nuk lejohet hapësirë më për anashkalime dhe moszbatimi i tyre paraqet shkelje. Duhet të bëhen përpjekje që të nxirret më e mira e mundshme për nxënës nga këto udhëzime sepse s`ka rrugë tjetër. Parimisht ta themi se me U.A 06/2022, vlerësimi i nxënësve ka për qëllim mbledhjen e informacioneve për përkrahjen e nxënësit në zotërimin e rezultateve të të nxënit, përcaktimin e nivelit të performancës, raportimin e rregullt të progresit, certifikimin dhe orientimin në shkollim të mëtejshëm.( shih nenin 3, pika 1). Dhe secili duhet ta luaj rolin e tij që të arrihet objektiva e mëlartëcekur.

Më tej njohuritë e nxënësve duhet të vlerësohen 4 herë gjatë vitit shkollor, pra një nxënës duhet që gjatë një gjysmëvjetori të vlersohet 2 herë dhe përshkrimi i notave në ditar duhet të bëhet proporcionalisht në mënyrë të barabartë kohore. ( neni 5, pikat 3.2 dhe 3.3). Vlerësimi i nxënësve duhet të jetë objektiv, transparent, i paanshëm, i arsyeshëm dhe motivues dhe duhet të bazohet në të paktën 3 instrumente vlerësimi. Konsideroj se kushtëzimi në përdorim të sa më shumë instrumenteve është bërë me qëllim që t`iu ipet sa më shumë mundësi nxënësve sepse vlerësimi me vetëm një instrument ka qenë i vështirë dhe shpeshherë më shumë ndëshkues sesa avancues për nxënës. Një nxënës p.sh mund të jetë i mirë në test me shkrim por çalon në të pyeturit me gojë ose në ndonjë instrument tjetër. Prandaj vlerësimi bazuar në të paktën 3 instrumente i jep mundësi secilit nxënës që ta kaloj pragun e kalueshmërisë. E rëndësishme është që nxënësit dhe prindërit duhet të njoftohen me instrumentet dhe kriteret e vlerësimit për secilën lëndë mësimore qysh në fillim të vitit shkollor.

Shkollat duhet t`i hartojnë planet e vlerësimit në kuadër të aktiveve, departamenteve apo fushave kurrikulare, plane këto të cilat i përmbajnë instrumentet e vlerësimit, kohën dhe akterët që marrrin pjesë në vlerësim. Mirëpo në këtë pikë Ministria e Arsimit nuk e ka kryer punën e saj si duhet sepse ka pasur për obligim që pas hartimit të këtij Udhëzimi t`a hartoj udhëzuesin se si përgatiten planet e vlerësimit, ku do të orjentoheshin shkollat ( neni 5, pika 3.10), mirëpo nuk i ka hartuar as pas 2 viteve. Dhe në këtë situatë shkollat hartojnë planet e tyre secila në formën dhe bindjen e saj, pa pasur ndonjë udhëzues të qartë, e që ndnjëherë mund edhe të mos jenë më të mirat e mundshme.

Nota përfundimtare për secilin gjysmëvjetor dhe poashtu edhe në fund të vitit shkollor, vendoset duke nxjerrur mesin aritmetik të dy notave të vendosura në ditar, edhe në rastin e dy gjysmëvjetorëve, edhe ne rastin e fundvitit shkollor, mirëpo lejohet mundësia që ndonjëherë të mbahet ana e nxënësit dhe atij t`i mbyllet nota e madhe ( p.sh 4 dhe 2 ose e kundërta, mbyllet 4) vetëmse duhet të evidentohet në ditar avancimi dhe progresi i nxënësit. Në raste të tilla mësimdhënësi duhet t`i posedoj dëshmitë faktike se nxënësi ka pasur progres të tillë, që lejohet mbyllja e notës së madhe ( neni 5, pika 6). Prindi duhet të njoftohet për suksesin e nxënësit në fund të çdo gjysmëvjetori, viti e poashtu edhe në raste tjera kur mësimdhënësi vëren rënje të suksesit të nxënësit.

Neni 16 (pikat 1,2,3,4,5 dhe 6) i këtij Udhëzimi parasheh qartë edhe të drejtën dhe mundësinë e ankesës së nxënsit apo prindit, në rastet kur ata janë të pakënaqur me vlerësimin e bërë dhe kjo mund të realizohet përmes kujdestarit të klasës, vetëm 48 orë pasi të jetë vlerësuar. Në raste të tilla Drejtori i Shkollës obligohet që brenda 3 ditë pune ta krijoj një komision vlerësues prej 3 anëtarëve, ku bëjnë pjesë kujdestari i klasës dhe 2 mësimdhënës nga fusha e njëjtë. Komisioni në fjalë analizon nëse ankesa është e bazuar dhe nëse po, realizohet rivlerësimi i nxënsit. Nëse nxënësi apo prindi janë sërish të pakënaqur me vlerësimin e komisionit brenda shkolle, ata mund t`i drejtohen DKA-së, të cilët poashtu duhet ta formojnë një komision prej 3 anëtarësh, ku bëjënë pjesë 2 mësimdhënës nga fusha e njëjtë dhe një përfaqësues i DKA-së. Vlerësimi i tyre bëhet në afat prej 3 ditë pune dhe është përfundimtar.

Përfundimisht vlerësimi i njohurive të nxënësve është proces kompleks dhe i vështirë, porse kur bëhet drejtë dhe me qëllim pozitiv mund të lehtësohet ca. E për t`u bindur se vlerësimi është i drejtë duhet të respektohet në përpikmëri U.A 06/2022, i cili megjithëse ka mangësi është një rrugë e mirë orjentuese e cila na udhëzon se nga të ecim. Jemi dëshmitarë se në disa raste ( fatmirsisht jo shumë) nxënësit tanë janë vlerësuar me vetëm një instrument dhe vetëm një herë gjatë një gjysmëvjetori, e që atë ditë nxënësi ka pasur mundësi ose të jetë i sëmurë, ose të ketë ndonjë problem dhe të mos jetë dita e tij apo edhe të mos jetë i përgatitur. Por të gjithë pajtohemi që nxënësi nuk duhet të ndëshkohet pse një ditë nuk ishte dita e tij, jeta është mundësi dhe ai duhet të ketë mundësi tjera. E pikërisht instrumentet e shumta japin këto mundësi.

Procesi i vlerësimit të njohurive të nxënësve është i vështirë, dhe ky Udhëzim mund të shihet se edhe i ka vështirësuar gjërat, apo edhe mund të kërkohet shfuqizimi i tij, mirëpo derisa është në fuqi duhet të respektohet. Mund të kemi ankesa që janë normale, porse duhet të nisemi nga thënja franceze: “ Ai që dëshiron të punoj gjen rrugë, ai që nuk dëshiron gjen arsye!”