Murati: Nuk është fitore mbajtja e veriut, është kancer si Asociacioni – duhet të ripërcaktohen kufijtë

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka deklaruar se mbajtja e veriut të Kosovës nuk është një fitore, por një problem i madh për shtetin, që ai e krahasoi me një “kancer” si Asociacionin. Sipas tij, Asociacioni mund të shërbejë për defunksionalizimin e shtetit të Kosovës, ndërsa zgjidhja më e mirë do të ishte ripërcaktimi i kufijve. Murati shprehu skepticizëm për suksesin e implementimit të Asociacionit

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka folur lidhur me situatën në veri të Kosovës dhe çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Sipas tij, mbajtja e veriut nuk është ndonjë fitore për Kosovën, por përbën një problem të madh që ai e krahasoi me një “kancer,” njësoj si Asociacionin. Murati theksoi se ideja e Asociacionit shpesh servohet si një rrugë që do t’i hapte Kosovës mundësi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, por paralajmëroi për rreziqet që vijnë me të.

“Ajo servohet si rrugë që i hap Kosovës mundësi të tjera, si një zgjidhje që i hap Kosovës rrugë të reja. Unë kam dyshimet e mia se Asociacioni, në të vërtetë, mund të shërbejë si një mekanizëm për ta defunksionalizuar shtetin e Kosovës. Pastaj, është shumë problematike nëse kemi ndonjë fitore në planin ndërkombëtar, për shembull anëtarësimin në ndonjë organizatë ndërkombëtare, sa ia vlen barra qiranë kur ti defunksionalizohesh”, ka thënë Murati.

Murati e krahasoi këtë situatë me Bosnjën, duke theksuar se zgjidhjet e paqes që janë imponuar në 1995 kanë vështirësuar funksionimin e shtetit atje.

“Mos të shkojmë fare më larg, shkojmë në Bosnje. Një botë e tërë perëndimore bën përpjekje për ta çuar përpara, por ajo nuk mund të ecë për shkak të një zgjidhjeje që ka ndodhur në 1995 për ta ndalur luftën. Por, realisht ka qenë një pranim i gjendjes faktike në terren, çka kanë kontrolluar palët. Dhe një zgjidhje që është dashur për të bërë kompromis me Serbinë dhe me serbët, por që sot e vështirëson shumë.

Ti mund të bëhesh anëtar i KiE, ndonjëherë edhe i OKB-së, që është vështirë për shkak të Rusisë. Por, sa ia vlen barra qiranë? Mendoj që presioni do të bëhet. Kam një bindje që Asociacioni do të jetë thjesht i vështirë edhe për t’u implementuar. Ndoshta fillon dhe ecën, por disi kam përshtypjen që në fund të ditës duhet të ulemi si Kosovë dhe Serbi për të njohur realitetin dhe për të bërë përpjekje për ato çështje që kanë mbetur”, ka shtuar Murati.

Teksa kritikon Asociacionin por edhe veprimet e Qeverisë në veri të vendit, Murati ka shtuar se zgjidhja më e mirë do të ishte ripërcaktimi i kufijve, duke përfshirë në tryezën e bisedimeve edhe zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Unë jam ithtar i njohjes së situatës dhe zgjidhjes së problemeve me reciprocitet, duke bërë përpjekje dhe duke qenë shumë i hapur në bisedime, për çështjen e zgjidhjes së problemeve të veriut të vendit. Për ta futur në tryezën e bisedimeve dhe çështjen e Kosovës lindore, që t’i zgjidhim me reciprocitet. Për vete, nuk kam kurrfarë entuziazmi për çështjen e Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit. Mendoj që zgjidhja më e mirë është ripërcaktimi i kufijve. Kosova nuk fiton nëse i mban ato pjesë, fiton nëse do t’i kishte pjesët shqiptare të Kosovës lindore. Mbajtja e atyre nuk është ndonjë fitore, është problem. E konsideroj një kancer, ashtu siç e konsideroj edhe Asociacionin. Asociacioni do të sillet rreth çështjes së veriut, një lloj kanceri në trupin e shtetit të Kosovës, që do të na rëndojë jetën”, ka theksuar Murati.

Në vijim të bisedës, Murati komentoi takimin e fundit në Bruksel në nivel kryenegociatorësh, duke thënë se çështja e Asociacionit mbetet “thembra e Akilit” e gjithë Marrëveshjes Bazë. Ai theksoi se në këtë moment, asnjëra palë nuk ka forcën për të imponuar implementimin e marrëveshjes, për shkak të ndryshimeve që po ndodhin në Bruksel dhe në prag të zgjedhjeve në SHBA.