Ilir Meta dyshohet për korrupsion e pastrim parash

Është arrestuar kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta. Arrestimi i tij është bërë me urdhër të SPAK, në kuadër të hetimeve për çështjen e pasurisë.

Ish-presidenti akuzohet për “korrupsion“, “pastrim parash” dhe “mos deklarim pasurie“, raporton TV Klan.

Raportohet se Meta është vënë në pranga nga agjentët e BKH-së teksa po shkonte drejt selisë së partisë. Ai kishte planifikuar konferencë për shtyp sot në orën 13:40.

Masa e “detyrim paraqitje” është caktuar edhe ndaj ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi.

Kujtojmë se Meta ka qenë disa herë në SPAK ku është pyetur për llogari të një hetimi në lidhje me një pagesë të bërë për lobim në Shtetet e Bashkuara. Po ashtu, Prokuroria e Posaçme ka nisur prej kohësh një hetim pasuror ndaj tij dhe ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi.

Prokuroria e Posaçme ka të regjistruar më herët të paktën 3 procedime penale që kanë bazë kallëzime të bëra nga qytetarë, por edhe persona të tjerë që lidhen me ish-presidentin Ilir Meta, por edhe Kryemadhin.

Kallëzime të cilat janë përkthyer në procedime të regjistruara për çështje të korrupsionit, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë.