Zyrtari i “artë” i Policisë së Kosovës, triumfon edhe në Portugali

Në garat evropiane të mbajtura në Braga të Portugalisë, ku përfshihen institucionet policore, të zjarrfikësve, doganave dhe të korrektuesve, po merr pjesë edhe zyrtari i Policisë së Kosovës, Anton Cena, i cili ka garuar në disiplinën e xhudos dhe notit.

Meqë në garën për veteranë mbi 60 vjet në xhudo nuk ka pasur kundër garues, i njëjti ka garuar me seniorë në moshë shumë më të re, në këtë rast kundër një garuesi spanjoll, ku të dy luftërat kundër tij i ka fituar me IPPON dhe është stolisur me medaljen e artë, duke e ranguar Policinë e Kosovës edhe një herë të parën në Evropë.

Përveç kësaj, në ditën e tretë të garave, zyrtari Cena ka garuar edhe në disiplinën e dytë kundër një garuesi brazilian, duke u bërë sërish i pari në këtë disiplinë të kategorisë -69 kg.

Zyrtari i PK-së, pas garave në xhudo, ka marrë pjesë edhe në disiplinën e notit, në garën me gjatësi prej 2000 m dhe ka arritur rezultate mjaft pozitive duke fituar medaljen e argjendtë.

I njëjti pritet të garojë edhe në disiplinën e notit në gjatësi prej 4000 m, në të cilën pritet edhe fitorja e radhës dhe synimi i medaljes shtesë.

Policia e Kosovës, në krye me menaxhmentin e saj, përmes përfaqësimit me zyrtarë policorë profesionalë, të përkushtuar e të përgatitur mirë në çdo aspekt, dëshmon para vendit dhe botës se është një polici profesionale, e cila në kuadër të saj ka zyrtarë profesionalë jo vetëm në fushën policore, por edhe në atë sportive të kategorive e disiplinave të ndryshme, siç është kjo e xhudos dhe notit.