Dëshmitari Berisha për të akuzuarit: S’kam kurrgjë ndaj tyre se nuk i njoh, nuk e di pse jam ftuar për dëshmi

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Halim Berisha tha se nuk i njeh të akuzuarit, nuk ka asgjë ndaj tyre dhe nuk e din arsyen se pse ZPS-ja e ka ftuar për të dëshmuar në këtë gjykim.

“Nuk i njihja, absolut nuk i njoh asnjë dhe nuk e di arsyen se pse me kanë ftu”, tha dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Përpara kësaj, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit, dëshmitari pohoi se e kishte thirr dy herë në telefon prokurorinë për të pyetur se pse duhet të jepte dëshmi në këtë proces gjyqësor pasi nuk e kishte kuptuar arsyen e një gjëje të tillë.

Ai gjithashtu pohoi se i kishte thënë ZPS-së se ai nuk kishte dëshmi kundër të akuzuarve për shkak se nuk kishte asgjë kundër tyre dhe se nuk i njihte.

“Shumë e saktë. Nuk kam kurrgjë ndaj tyre, nuk i njoh. Nuk e di”, tha dëshmitari.

Me kaq përfunduan pyetjet e mbrojtje së Thaçit të përfaqësuar nga avokatja Nina Tavakoli për të vazhduar më pas me pyetjet e mbrojtjes së Veselit e përfaqësuar nga avokatja Ann Rowan.