Petritsch druan se SHBA-së po i humbet durimi: S’ka më mbështetje për Kosovën – politika e Kurtit e fokusuar në nacionalizëm

Wolfgang Petritsch, diplomati austriak dhe ish-emisari i Bashkimit Evropian (BE) për negociatat e paqes midis Kosovës dhe Serbisë, në një intervistë për Radio Televizionin 21 (RTV21) të mërkurën, ka thënë se lidershipi kosovar ka nisur t’ua humbë durimin Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Uashingtoni po humbet durimin. Kjo është përshtypja ime. Nuk ka më aq shumë mbështetje sa më parë… Shohim përparim në vendet fqinje, si në Maqedoninë e Veriut apo edhe në Malin e Zi. Por Kosova po mbetet mbrapa. Dhe kjo nuk është mirë sepse vende si Kosova varen nga vullneti i mirë i qeverive të Perëndimit”, ka thënë ai teksa ka folur rreth zhvillimeve të fundit.

Petritsch ka thse politika e ekzekutivit aktual të udhëhequr nga kryeministri kosovar, Albin Kurti, aktualisht është e fokusuar në nacionalizëm dhe patriotizëm: “Tani, patriotizmi dhe dashuria për vendin tuaj është e rëndësishme,por kjo nuk mund të jetë thelbi i një politike.Politika duhet të jetë ekonomike, duhet të jetë politike dhe nuk duhet të jetë në dëm të vendit”.

“Unë e kuptoj plotësisht këtë se një vend i ri ka nevojë të stabilizojë sovranitetin e tij. Por përshtypja ime është që në vend që të stabilizojë dhe të zgjerojë sovranitetin e vet, ai po humbet për shkak të një politike që është jo mjaftueshëm fleksibile, jo mjaft pragmatike dhe nuk po jep rezultate ekonomike”, ka shtuar Petritsch, duke folur për lëvizjet në verit të vendit, transmeton albanianpost.

Ndryshe, bashkësia e organizuar ndërkombëtare në krye me SHBA-të pothuajse vazhdimisht e ka qortuar ekzekutivin kosovar për çfarëdo vendimi që potencialisht tensionon situatën në veriun e trazuar të territorit, pavarësisht justifikimit të zyrtarëve institucionalë se lëvizjet e fundit janë në funksion të vendosjes së rendit dhe ligjit në veriun e banuar me serbë etnikë.