Haxhiut i ‘pengojnë’ deklaratat e Osmanit kundër Martin Berishajt, ia kujton kohen kur presidentja e mbronte ambasadorin

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar edhe një herë se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj është i pafajshëm, kjo pasi presidentja Vjosa Osmani u shpreh se ai duhet të lirohet nga detyra deri në përfundimin e hetimeve.

Haxhiu në një konferencë për media të mërkurën është pyetur mbi deklaratat e presidentes të Kosovës, duke thënë fillimisht se nuk është gjetur që ka pasur keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Ne kemi thënë qëndrimet tash e sa kohë për ambasadorin Berishaj, ka pasur një Komision Hetimor që nuk u gjet asgjë, duhet të merren parasysh këto aspekte. Në anën tjetër, vlerësojmë që nuk ka pasur aq kepërdorim të detyrës zyrtare, as pasurim të pabazë, as pasurim material.” – ka thënë ajo.

Tutje, Haxhiu i ka kujtuar Osmanit kohën kur edhe vetë ajo, njëjtë si Qeveria, mbronte ambasadorin Berishaj, transmeton nacionale.

“Kemi folur disa herë për të, edhe Kurti edhe Gërvalla, edhe presidentja Osmani më herët, nuk kam se çka t’i shtoj deklaratave tona.” – tha ministrja e Drejtësisë.