Haradinaj: Koha do ta dëshmojë agjendën e Kurtit, askush nuk mund ta rrezikojë aleancën e Kosovës me Amerikën

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se vizita e drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, Burns në Kosovë, është nder i madh për Kosovën dhe lajm i mirë për sigurinë tonë.

“Për ne, është jetike integrimi në familjen euroatlantike, dhe aleanca me Amerikën është e përjetshme, shkruan Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se edhe takimet e shefit të CIA-s me krerët e shtetit janë lajm i mirë.

Ai ka përmendur edhe kryeministrin Kurti, duke thënë se koha do ta dëshmojë “agjendën e tij”.

“Institucionet e Kosovës duhet të qëndrojnë të palëkundura për aleancën me Amerikën. Takimet e drejtorit z. Burns me udhëheqësit e institucioneve, janë lajm i mirë për Kosovën. Sa i përket Kurtit dhe agjendës së tij, i’a lëmë kohës ta dëshmojë, por askush nuk mund ta rrezikojë aleancën e Kosovës me Amerikën. Ajo është e përjetshme dhe jetike”, shkruan Haradinaj.