Osmani: U pajtuam t’i analizojmë datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit që pati me kryetarët e partive politike në vend për konsultimin e caktimit të datës së zgjedhjeve mbajti edhe konferencë për media, ku tregoi edhe për datat e propozuara, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

E para e shtetit tha se sipas Ligjit, janë katër data, 26 janari, 2, 9 dhe 16 shkurti, pasi parashihet që ato të mbahen të dielave.

Osmani theksoi se do të analizojnë datat e preferuara, e më pas do të bëhet nga ajo shpallja e zgjedhjeve të rregullta.

“Sipas Ligjit, janë katër data për zgjedhje, 26 janari, 2 shkurti, 9 shkurti dhe 16 shkurti, duke qenë që e parasheh Ligji vetëm të dielave. Diskutimi ishte vetëm në kontekst të këtyre datave. Nuk kihte insistim të tepërt, kishte preferenca. Disa parti preferojnë 26 janarin, disa të tjera 9 shkurtin, dhe 16 shkurtin, dhe kishte nga ato që skishte preferencë, se cilado datë ju përshtatej. Jemi brenda afattit të konsultimeve. Nga 26 korrik e tutje, Presidentja e fiton të drejtën me bë shpalljen e zgjedhjeve. Afatet ekzistojnë. Partitë politike prezente nuk kishte kërkesa për konsultime shtesë, u pajtuam që si Presidencë ta bëjmë analizën e të gjitha datave, që ta bëjmë publike. Ky vendim ende sështë marrë, pasi duhet t’i diskutojmë ato që biseduam me partitë politike”, tha Osmani në konferencë për media.

Për mospjesëmarrjen e kryetarit të VV-së, Albin Kurtit, Osmani tha se të gjitha partitë kanë qenë të ftuar në nivel të kryetarëve, por ju tha gazetarëve që ta pyesin të parin e VV-së pse nuk ka shkuar në takim.

Ajo tha që ka pas vullnet nga nënkryetari, Glauk Konjufca, por me që ka qenë vetëm për kryetarët, atëherë është ruajtur ky parim.

Nuk e kam parë që dikush e ka quajtur bojkot mospjesmarrjen e Kurtit në këtë rast, edhe pse siç e dini të gjitha partitë kanë qenë të ftuara në nivel të kryetarëve të partive. Nënkryetari Glauk Konjufca, ka shprehur gatishmëri të plotë të vijë në takim, por të gjitha partitë kanë qenë të informuara që ky takim është për nivel, këtë parim e kemi mbajtur per të gjithë dhe me mirekuptim e ka zbatuar. Arsyet nuk i dimë, mund ta pyesni atë drejtëpërdrejtë, besoj është në zyrë, mund të shkoni ta pyesni”.

“Kishte edhe dy mungesa tjera, Lista Serbe, ska pasur as pergjigje, si dhe partia e Elbert Krasniqit, ani pse e kishte konfirmuar”, tha Osmani në konferencë për media.

Konjufca s’u lejua të marrë pjesë në takim, Osmani tregon arsyet pse