Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka shprehur gatishmërinë e tij të marrë pjesë në takimin me krerët e partive politike për të diskutuar datën e mundshme për zgjedhje, mirëpo ai nuk është lejuar të jetë i pranishëm, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Në një konferencë për media, Osmani ka thënë se për shkak se ftesa ishte në nivel të kryertarëve të partive politike, parimisht Konjufca nuk mund të ishte i pranueshëm në takim.
“Nuk e kam parë që dikush e quajti bojkot mospjesëmarrjen e Konjufcës në takim. Sic e dini të gjitha partitë kanë qenë të ftuara në nivel të kryetarëve partive. Konjufca e ka shprehur gatishmërinë e plotë që të vijë mirëpo meqeënse të gjitha partitë kanë qenë të informuara, këtë parim ekemi mbajtur për të gjithë, ai me mirëkuptim e ka zbatuar”, ka deklaruar Osmani.
Sa i përket mungesës së kryeministrit dhe kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, Osmani është shprehur se nuk i di arsyet.
“Ne nuk i dimë arsyet, mund ta pyesni drejtpërdrejt”, ka vijuar ajo.
Ndryshe, Osmani tha se gjatë takimit me përfaqësuesit e partive politike parlamentare janë pajtuar që të bëhet analizimi e të gjitha datave dhe elementeve përkatëse për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare.
“Ky vendim nuk është marrë sepse duhet t’i analizojmë diskutimet që i kishim me kryetarët e partive”, tha Osmani gjatë konferencës për media pas takimit.
Sipas afateve të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, Kosova mund të mbajë zgjedhje të rregullta më 26 janar, 2, 9 dhe 16 shkurt.
Osmani tha se partitë kishin preferenca të ndryshme sa i përket datës për mbajtjen e zgjedhjeve.