“Nuk po ikin ‘gjyshet’ e Bislimit, por profesionistët”: Opozita e shokuar pas konstatimeve të dytit të qeverisë

Zëvëndëskryeministri për Integrime Evropian dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka pretenduar se situata aktuale e emigracionit nuk ka të bëjë dhe nuk përfshin të rinjtë, por të moshuarit.

“Kanë dal gjyshet jashtë, kanë shku me i këqyrë nipat, u knaqën”, tha ai, duke theksuar se të rinjtë po qëndrojnë në vend dhe po kontribuojnë në zhvillim.

Sipas Bislimit, punësimi është rritur. Ai tha se 20 mijë punëtorë mund të kenë ikur, por se janë 65 mijë vende shtesë dhe atë me kontratë pune.

Deklarata e tij mori hov të madh pasi që, sipas Bislimit, “panika që u përhap në popullin e Kosovës ka dështuar”, dhe se nëse dikush është larguar nga veti, ato janë gjyshet që po kujdesen për nipat; dhe që, për më tepër, “gjyshet nuk konsiderohen klasë punëtore”.

“Shifrat për emigrimin do të dalin, krejt ajo panika që është përhap ka dështu, nuk kanë dal as rinia, as të vjetërit. Kanë dal gjyshet, kanë shku me i këqyrë nipat, u kënaqën. Por, ato s’kanë qenë pjesë e fuqisë punëtore”.

Pas deklaratës së Besnik Bislimit, kanë reaguar shumë politikanë dhe analistë, duke e vlerësuar për të pavërtetë pretendimin e tij, dhe duke shtjelluar se shifrat që ai ka cekur nuk janë në përputhje me rezultatet.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, tha se ky argument është i atillë që mundohet të minimizojë problemin e emigracionit të të rinjve në Kosovë dhe duke devijuar vëmendjen nga ikja e rinisë.

“Një numër i konsiderueshëm të rinjsh kërkojnë mundësi më të mira jashtë vendit për arsye të ndryshme, pëfshirë mungesën e vendit të punës, kushtet ekonomike, dhe shpresën e një jete më të mire. Pra, pretendimi se kryesisht të moshuarit largohen për të vizituar familjarët e tyre nuk adreson problemet strukturore që nxisin migracionin”, u përgjigj Lekaj.

Deputeti i AAK-së tutje tha se për ta qartësuar çështjen do të ishte e rëndësishme që qeveria të ofrojë të dhëna të sakta dhe transparente mbi emigracionin dhe të trajtojë shkaqet e thella të tij.

Për të njejtën çështje për Nacionalen foli edhe deputeti i LDK-së, Arben Gashi. Sipas tij, Besnik Bislimi dhe shefi i tij, Albin Kurti, janë duke jetuar në një realitet paralel, sepse nuk ka familje në Kosovë që nuk e ka dikënd që s’ka migruar.

“Deklarata e Bislimit, dhe ajo e mëhershme e Albin Kurtit, se më shumë po kthehen në Kosovë sesa po ikin, tregon qartë që se Kurti dhe Bislimi dhe qeverisja e tyre kanë humbur lidhjen me realitetin në Kosovë dhe se politikat e tyre janë të shkëputura nga nevojat dhe vuajtjet e qytetarëve”, tha Gashi.

Ai vazhdoi duke e quajtur të turpshme dhe të papranueshme që qeveria të injorojë eksodin masiv që po zbraz vendin nga potenciali i tij më i vlefshëm, rinia the profesionistët e tij të aftë.

Opozitari tjetër Bekim Haxhiu, i cili vjen nga rradhët e PDK-së u shpreh se është pak e veshtirë me komentu deklaratat (gënjeshtra), patologjike të qeveritarëve.

“Mbi 3400 profesionistë shëndetësorë (mjek, stomatolog, infermier, fizioteraeput, teknik mjekësor, et) kanë ikur nga Kosova në tri vitet e fundit, nuk janë ‘gjyshet’ e Besnik Bislimit por janë profesionist të rinjë të cilet sot i mungojnë sistemit tonë shëndetësor dhe familjeve të tyre”, tha Haxhiu për Nacionalen.

Sipas Haxhiut qeveritarët gënjejnë për përfitime personale dhe për të të shtrembëruar realitetin në favor të tyre.

“Këto lloj deklarata mund të lëshohen vetëm nga persona që janë gënjeshtarë patologjik, të cilët nuk kanë aftësi për të menaxhuar emocionet, janë impulsiv, hiperbolizojnë rëndësinë e tyre dhe kanë nevojë të vazhdueshme për vëmendje”, tha Haxhiu.