I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka zhvilluar një takim me ministrin e Jashtëm të sapoemëruar të Serbisë, Marko Gjuriq, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Përmes një postimi në platformën X, Lajçak njoftoi se me Gjuriq kanë biseduar për procesin e dialogut dhe procesin e integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.
“Në Beograd pata rastin të ulem edhe me ministrin e Jashtëm të sapoemëruar, Marko Gjuriq. Diskutuam për dialogun dhe procesin e integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian. I urova suksese në detyrën e re”, thuhet në njoftimin e Lajçakut.
Diplomati evropian të mërkurën është takuar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe me shefin e të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Me Vuçiqin, Lajçak tha se kanë folur për dialogun dhe hapat e ardhshëm, e me Petkoviqin për normalizimin e raporteve.