“Nuk ka pasur kurrfarë negocimi. Tërheqja është bërë pasi këtë ua kanë mundësuar malet e larta me vegjetacion dhe përgatitja e tyre ushtarake të cilët kanë ditë se si me u tërheq”.
Kjo është deklarata e rrejshme e Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, e dhënë më 1 tetor 2023, kur ishte pyetur si grupi terrorist i udhëhequr nga Milan Radojçiq arriti të largohej nga Kosova, ndonëse ishte i rrethuar nga Policia e Kosovës, shkruan Demokracia.com.
Sveçla, ashtu si shefi i tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po e mbanin të fshehur të vërtetën se “arratisja e qetë dhe e pashqetësuar” e grupit terrorist kishte ardhur pas një ujdie të fshehur.
Por, 8 muaj pas ngjarjes së Banjskës, një raport i publikuar nga NATO dhe i diskutuar më 25 maj 2024 në Komisionin për Mbrojtje e Siguri në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s, thuhet se zyrtarët e KFOR-it negociuan tërheqjen e grupit sulmues.
“Zyrtarët e KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës tjetër të grupit në pyjet përreth, ku ata ishin zhdukur. (ICG, 2024)”, thuhet në raport.
4 TETOR 2023: DREJTORI I POLICISË: ASNJË MARRËVESHJE PËR KORRIDOR TË IKJES
“Në disa nga videot që keni shpërndarë, kemi parë që sulmuesit po “ecnin” teksa arratiseshin. A ka pasur ndonjë marrëveshje që ata të largoheshin? Si ia kanë dalë të arratisen?”, ka qenë pyetja që Radio Evropa e Lirë ia ka bërë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, më 4 tetor 2023.
Nga ai kishte marrë një përgjigje mohuese se ka pasur ndonjë marrëveshje për largimin e terroristëve nga Kosova.
“Jo, asnjë marrëveshje, asnjë komunikim me qëllim të krijimit të lirimit a krijimit të korridorit për ikje apo depërtim të këtij grupi nga fshati i Banjskë, nga territori i Kosovës, nuk ka pasur. As tentativë të tillë nuk ka pasur”, ishte përgjigjja mohuese e drejtorit Hoxha më 4 tetor.
Të dielën e 24 shtatorit 2023, një grup terroristësh serbë vranë policin Afrim Bunjaku dhe plagosën një tjetër. Më pas grupi terrorist serb u fut në manastir nga ku pati shkëmbime zjarri gjatë gjithë ditës me policinë e Kosovës. Gjatë sulmit me armë mbetën të vrarë dhe 3 terroristë serbë. Vetëm pak prej tyre u arrestuan dhe më pas edhe u liruan disa, ndërsa pjesa më e madhe e tyre u largua për në Serbi. Në vendin e ngjarjes, Policia e Kosovës gjeti në këtë fshat arsenal të madh të armëve luftarake. /Demokracia.com/