Mungesa e analizës dhe mendësia e ngushtë në vendimmarrje

Shkruan Burim Gjaka

Jetojmë në shek. XXI duke synuar çdo ditë për të prosperuar në hap me popujtë e tjerë, mirëpo asnjëherë nuk ndalemi të analizojmë rrugën që kemi bërë deri këtu. Kjo mungesë analize është produkt i mendësisë së kufizuar, e cila prodhon njerëz ” të gjithdijshëm” ,  ” të paprekshëm”, joprofesional dhe institucione jokredibile dhe të pasuksesshme. Cilat kanë qenë synimet tona kur kemi marrë një rrugë të tillë, me cilat sfida jemi ballafaquar gjatë rrugës së bërë, sa ia kemi arritur në qëllimet tona, cilat janë rezultatet e matshme të rrugës sonë dhe a ka nevojë për hapa përmirësues për ecje tutje? Këto janë vetëm disa nga pyetjet që duhet t’u përgjigjemi kur jemi në zhvillim e sipër të një procesi, në cilindo  institucion apo tjetër dhe që fatkeqsisht po na mungojnë. Në mungesë të një reflektimi të tillë kemi krijuar një klimë pune (mospune), ku askush nuk jep llogari për asgjë, askush nuk vlerësohet për asgjë dhe çdo gjë ndodhë vetëm sa për të thënë se ndodhi.

Është faktike se si një vend i vogël  krahasuar me vendet që synojmë t’i ndjekim, me keqpërdorime marramendëse dhe buxhet simbolik (që çdo ditë krijon milioner), buxhet ky i cili po të përdorej si duhet do të mjaftonte të ecnim ngadalë por sigurt drejtë fokusit tonë. Mbase shumica e tij shpenzohet pa ndonjë analizë të mirëfilltë profesionale, e që shpesh llogaritet si “para e humbur”. Disa në arbitrazh,  disa në subvencione pa ndonjë vlerë, disa për organizime që nuk prodhojnë asnjë rezultat, disa në mbështetje të disa OJQ-ve me misione të caktuara etj, dhe më së paku për zhvillim dhe mirëqenje të qytetarëve. Kemi krijuar një rutinë si rregull e pashkruar ku gjithçka bëhet vetëm sa për foto dhe simbolika, të cilat nuk na dërgojnë askund.

Në mungesë të një analize dhe reflektimi fillestar,  duke anashkaluar meritokracinë, japim dhe marrim pozita pa asnjë kriter, marrim vendime që nuk mund t’i zbatojmë, mbase edhe vendime që dëmtojnë vendin, krijojmë njerëz të “suksesshëm” pa asnjë sukses paraprak, shtypim të varfërit dhe ata ” pa krahë” injorojmë të diturit, krijojmë ekspertë pa asnjë ekspertizë parprake, mohojmë kontributin e të tjerëve dhe i duam e respektojmë vetëm ata të cilët na ndëgjojnë dhe zbatojnë urdhërat tanë pa asnjë rezervë. Kjo është mendësia e kufizuar që është epitet i shoqërive mesjetare, madje edhe më largë, që nuk prodhon asnjë të mirë për qytetarët e rëndomtë,  përjashto ata të “shtresës së lartë” dhe servilët që janë nën umbrellën e tyre, e që fatkeqsisht n’a kanë katandisur në një vend ku askush nuk dëshiron të jetoj, madje as ata që punojnë në institicione publike dhe që dikur llogariteshin si klasë e mesme.
Kjo mendësi e tillë, e ngushtë dhe primitive nuk të lë t’i ndihmosh edhe po të duash. Njerëzit me mendësi të tillë nuk e pranojnë kritikën dhe e luftojnë zërin kritik, sado i arsyeshëm të jetë. Kritika është infuzion për shoqëritë moderne të cilat arrijnë të dallojnë pozitën drejtuese dhe njeriun. Kritika për mënyrën e qeverisjes, udhëheqjes apo drejtimit të një institucioni, organizate apo çkado qoftë ajo, kur bëhet në mënyrë të  arsyeshme dhe argumentuese, duhet të kuptohet si kritikë me qëllim përmirësimi, asesi urrejtje ndaj jush. Ai i cili të kritikon dhe nuk pajtohet me veprimet e tua, duke propozuar alternativat e tij dhe duke qenë i gatshëm t’ju ndihmoj,  e bën atë sepse dëshiron të të shohë më mirë, asesi nuk ju urren. Kritika e tjetrit duhet të trajtohet si këshillë falas të cilën duhet ta analizosh dhe pastaj mund ta përdorësh ose jo, varësisht se si të konvenon, mirëpo jo ta injorosh, luftosh dhe madje të mundohesh ta zhdukësh zërin kritik sepse nuk jemi vend ku shtypet liria e shprehjes.
Winston Churchill ka thënë:” Kritika mund të mos jetë e pranueshme, por është e nevojshme. Ajo përmbush të njëjtin mision që ka dhimbja për trupin e njeriut. Ajo tërheq vëmendjen ndaj gjendjes jo të shëndoshë të gjërave”.

Ndërsa unë po e përmbyllë këtë shkrim me një konstatim: ” Nuk e ke mik atë që ta lëmon shpinën kur ti je i fortë, sepse ai po ta kërkon pikën e dobët që ta ngulë thikën kur ti të dobësohesh”.
Duhet analizë me kokë të qetë për t’a dalluar mikun nga armiku dhe kritikën e arsyeshme nga ajo atakuese!…