Pak minuta më parë u raportua se Policia e Kosovës po kryente aksion në Veri për përdorim të paligjshëm të dinarit.
Ky veprim siç mëson “Mitropol” po kryhet pasi më 11 maj ka përfunduar periudha transitore e Bankës Qendrore të Kosovës rreth çështjes së dinarit, ndërsa që nga 12 maji ndaj gjithë atyre që përdorin valuta të tjera përpos euros për transaksione me para të gatshme në Kosovë, parashihej të ndërmerreshin masa.
Se po kryejnë ndërhyrje në Veri të vendit e konfirmoi për “Mitropol” edhe zv. drejtori i PK-së për rajonin e Veriut, Veton Elshani.
Elshani tha se ndërhyrja po kryhet në bazë të informacioneve të pranuara se në disa biznese në Veri të vendit është duke u zhvillu veprimtari e kundërligjshme.
“Me autorizim të prokurorit kemi nderhyrë dhe të njëjtat jemi duke i kontrolluar, gjersa me neve janë edhe zyrtarë nga ATK”, tha Elshani për “Mitropol”.
Pas 12 majit të gjitha transaksionet me para të gatshme kudo në Kosovë duhet të bëhen me euro.
“Valutat tjera jo euro mund të përdoren në Republikën e Kosovës si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”, citohet në rregulloren e BQK-së.