Policia e Kosovës ka sekuestruar sirenat e alarmit në Mitrovicën e Veriut.
Gazeta Online Reporteri.net merr vesh se nga një aksion i Policisë Kosovës në ndërtesat ku kanë qenë të vendosura, janë sekuestruar këto sirena.
Sirenat në veri të Kosovës rëndom lëshohen nga strukturat paralele serbe kur nga popullata lokale kërkohet të organizohet për ndonjë ngjarje.
Sa herë që bien sirenat në veri të Kosovës, e që ka ndodhur në disa raste vitet e kaluara, grupe njerëzish të organizuar dalin në rrugë, mbyllin dyqanet, barnatoret, lokalet afariste e të tjera dhe organizojnë barrikada.
Kështu ndodhi edhe në maj të këtij viti, kur në komunat në veri serbët u mblodhën për të protestuar kundër vendosjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale në këto komuna, duke eskaluar edhe në protesta të dhunshme.
Për pasojë më shumë se 90 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë u plagosën.
Si pjesëmarrës kryesorë në sulmet kundër KFOR-it, autoritetet e Kosovës i emëruan pjesëtarët e organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” – që të dyja të shpallura terroriste nga Prishtina zyrtare.