Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj dhe pesë aktivistët e tjerë si Zgjim Hysenit, Nol Nushit, Agron Kabashit, Korab Korçës dhe Gent Brahimi janë liruar nga masa e ndalimit.
Ndryshe, Partia Socialdemokrate (PSD), ka njoftuar se kryetari i tyre Dardan Molliqaj dhe anëtarët e tjerë të PSD-së të arrestuar gjatë ditës nga Policia e Kosovës, janë ndaluar për 48 orë.
Ata ishin arrestuar pas protestës kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekatarine Trendafilova.
PSD-ja e ka quajtur vendim politik, masën e ndalimit 48-orësh për kryetarin dhe aktivistët e saj.
”PSD izolohet që Trendafilovës t’i bëhet vizita sa më normale. Por lufta e saj për imazh është e humbur. Prokuroria ka vendosur që kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj, Zgjim Hysenit, Nol Nushit, Agron Kabashit, Korab Korçës, Gent Brahimit t’iu jepet masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftim.
Me 29 nëntor Partia Socialdemokrate e ka pritur me protestë kryetaren e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, gjatë vizitës së saj në Kosovë të mërkurën.
Aktivistët e PSD-së janë mbledhur përpara vendit ku Trendafilova do të mbajë takim me shoqërinë civile.
“TrendafilOUT”, “UÇK-ja nuk mund të gjykohet”, “Historia është shkruar, propaganda ka dështuar”, janë disa nga pankartat e mbajtura nga aktivistët e PSD-së.
Trendafilova kishte tentuar edhe dy herë të tjera të vijë në Kosovë, por i kishte anuluar vizitat.
Fillimisht në qershor të vitit 2022 me arsyetimin e pjesëmarrjes së madhe në një takim, ajo diskutimet i realizoi online.
Kurse, në shtator takimin e anuloi për shkak të protestës së Partisë Socialdemokrate.
Megjithatë, i çuditshëm është fakti që mediet janë ftuar, por që nuk do të lejohen të kenë kamerat e tyre në sallën e konferencës.