Menu Close

Konjufca kërkon nga Këshilli i BE-së opinionin e Komisionit për aplikimin e Kosovës

Glauk Konjufca, ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, i ka bërë thirrje Këshillit të Bashkimit Europian që t’i kërkojë Komisionit Europian përgatitjen e një opinioni lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Me këtë rast, Konjufca vlerësoi se procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian duhet të jetë një proces i besueshëm, ku çdo vend i rajonit ka mundësinë të përparojë bazuar në meritat e veta dhe në reformat e zbatuara.

Kjo kërkesë u artikulua gjatë një takimi ministerial të grupit “Western Balkans Friends”, të mbajtur në Athinë.
Gjatë fjalës së tij, ministri vuri theksin te reformat demokratike të ndërmarra nga Kosova. Ai përmendi gjithashtu përputhjen e plotë të vendit me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, si dhe gatishmërinë e Kosovës për të marrë pjesë në misionet dhe operacionet e Bashkimit Europian.

“Kosova ka demonstruar angazhimin e saj për integrimin europian përmes reformave dhe mbështetjes së palëkundur për politikat e BE-së. Ka ardhur koha që ky angazhim të pasohet me hapa konkretë nga ana e BE-së, në mënyrë që Kosova të ecë përpara në procesin e anëtarësimit, njësoj si vendet e tjera të rajonit,” deklaroi Konjufca.

Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Europian para gati katër vitesh. Megjithatë, Komisioni Europian ende nuk e ka çuar çështjen përpara.

Related Posts