SBASHK-u pas takimeve konsultative me kryetarët e niveleve komunale sindikale dhe të universiteteve, ka bërë të ditur se greva e nisur në arsim më 25 gusht do të vazhdojë.
Kryetarët e niveleve komunale sindikale e të universiteteve në këto takime janë informuar nga anëtarë të Këshillit Grevist të BSPK-së për dy takimet me Avokatin e Popullit, që janë mbajtur me iniciativën e tij, dhe më pas kanë analizuar në detaje shkresën e arritur nga Avokati i Popullit, thuhet në komunikatë.
Vlerësimi i pjesëmarrësve në këtë takim ishte se kjo shkresë nuk solli asgjë të re, andaj greva do të vazhdojë, ndërkohë që SBASHK do t’i përgjigjet shkresës së Avokatit të Popullit mbi çështjen e grevës.
Për më tepër, SBASHK-u tha se në këto takime ka pasur kritika ndaj qëndrimit të gabuar të Qeverisë karshi kërkesave të tyre dhe vlerësojnë se Qeveria sikur nuk do që greva të përfundojë, pasi nuk po negocion kërkesat për 100 euro shtesë deri në miratimin e ligjit të pagat.
Përveç kësaj, Qeveria vazhdon me deklarime e angazhime për presion të vazhdueshëm ndaj grevistëve, thuhet tutje në komunikatë.
SBASHK-u ka bërë të ditur se drejtorja e përgjithshme e Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës i ka dërguar shkresë kryeministrit Albin Kurti për një takim, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje, që do t’i realizonte kërkesat e grevistëve në sektorin e arsimit dhe në atë të shërbyesve civilë.