Një tjetër sulm i dyshuar ukrainas ndaj një anijeje ruse është regjistruar në Detin Mesdhe, kësaj radhe në brigjet e Libisë, ku një korvetë e Marinës Ruse është goditur nga dronë detarë në bazën ushtarake detare të Bengazit.Sipas zyrtarëve ushtarakë libianë, objektiv i sulmit ishte anija luftarake ruse “Merkury”, e cila pësoi dëme të rënda, ndërsa nga goditja shpërtheu edhe zjarr në bazën detare.
Sipas hetimeve fillestare të autoriteteve libiane, gjashtë dronë detarë dyshohet se janë përdorur në këtë sulm. Katër prej tyre janë interceptuar, ndërsa dy të tjerë kanë arritur ta godasin anijen ruse. Ekipi i saj është shpëtuar.
Anija ruse ndodhej në portin e Bengazit për furnizim me karburant dhe pajisje, në kuadër të një marrëveshjeje bashkëpunimi me autoritetet në Libinë lindore.
Autoritetet libiane kanë nisur një hetim të përbashkët me Rusinë për të zbardhur rrethanat e sulmit, burimin e tij dhe përgjegjësit. Deri më tani, as Ukraina dhe as Rusia nuk kanë dhënë ndonjë koment zyrtar, ndërsa askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Sulmi në Libi vjen pas goditjes së anijes ruse në Baltik
Ky zhvillim vjen vetëm një ditë pas një tjetër sulmi ndaj një anijeje ruse në Detin Baltik.
Më 21 nëntor, anija ruse e mallrave “Sparta II”, e cila ka lidhje me logjistikën e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, u godit nga dronë në Gjirin e Finlandës dhe përfshiu flakët.
Finlanda ka vlerësuar se sulmi ka të ngjarë të jetë kryer nga Ukraina. Të 16 anëtarët e ekuipazhit u evakuuan, ndërsa zjarri në anije vazhdoi për orë të tëra.
Pas këtij incidenti, autoritetet finlandeze raportuan edhe për një helikopter rus që dyshohet se kishte shkelur hapësirën ajrore të Finlandës, duke hyrë deri në 4.1 kilometra brenda territorit të saj. Ministri finlandez i Mbrojtjes nuk e përjashtoi mundësinë që fluturimi të kishte lidhje me operacionet e shpëtimit ose monitorimit të anijes së dëmtuar.
Sulmet ndaj anijeve ruse në dy hapësira të ndryshme detare, në Baltik dhe në Mesdhe, tregojnë se lufta mes Rusisë dhe Ukrainës po shtrihet gjithnjë e më larg vijave tradicionale të frontit.
Deti Baltik dhe Mesdheu po shfaqen kështu si hapësira të reja të tensionit, ndërsa përdorimi i dronëve detarë po krijon sfida të reja për sigurinë detare dhe praninë ushtarake ruse jashtë kufijve të saj.
