Në Dhomat e Specializuara në Hagë sot vazhdon seanca në çështjen ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt ku pritet të jepen deklaratat përmbyllëse.
Në fjalën përmbyllëse të mërkurën, mbrojtja kërkoi që ish kreu i OVL UÇK-së, Hysni Gucati, të shpallet i pafajshëm. Sipas avokatit të tij nuk ka prova të pranueshme që vërtetojnë akuzat me të cilat klienti i tij ngarkohet. Edhe avokati i Nasim Haradinajt, deklaroi se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk është në gjendje të vërtetojë asnjë nga pikat e akuzave të Haradinajt.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.
Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.