Menu Close

Agron Bajrami pritet të bëhet zëvendësministër i Jashtëm, Fatmir Curri ambasador në Bruksel?

Sipas burimeve të Gazetës Express nga radhët e zyrtarëve evropianë, ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, pritet të emërohet zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe të vazhdojë ta udhëheqë dialogun teknik me Serbinë. Në Bruksel, vendin e tij pritet ta marrë Fatmir Curri.

Bajrami e mban pozitën e kryenegociatorit të Kosovës në dialogun teknik me Serbinë që nga 22 prilli 2026, kur u emërua nga kryeministri Albin Kurti. Në atë pozitë, ai e pasoi Besnik Bislimin, i cili e kishte përfaqësuar Kosovën në takimet e kryenegociatorëve në Bruksel.

Bajrami ishte i përfshirë në proces edhe para emërimit si kryenegociator. Si ambasador në Bruksel, ai përfaqësoi Kosovën në Komitetin e Përbashkët të Monitorimit, të themeluar për të mbikëqyrur zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe të Aneksit të zbatimit, për të cilin palët u pajtuan në Ohër.

Sipas burimeve evropiane të Expressit, Fatmir Curri pritet ta pasojë Bajramin si ambasador i Kosovës në Bruksel.

Curri ka punuar për disa vjet në shoqërinë civile, ku ka qenë drejtor programesh në Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Më pas, ai ka punuar si këshilltar i jashtëm për integrime evropiane në kabinetin e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.Gjithashtu ai figuron si ekspert i lartë në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal (RCC).

Fatmir Curri ka diplomuar në Banka dhe Financa në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa ka përfunduar studimet master në Belgjikë.

Related Posts