Grevë dyorëshe në arsim, pritet takim me qeverinë

Të gjitha institucionet arsimore sot do të jenë në grevë dyorëshe.  SBASHK thekson se greva do të mbahet në dy orët e para të mësimit të paradites dhe në dy orët e para të mësimit të pasdites në të gjitha shkollat e Kosovës, kurse Universitetet do të jenë në grevë nga ora 10 deri në orën 12.

“Duke e parë se  pas grevës njëorëshe në tërë sistemin arsimor, kishte reflektim të pamjaftueshëm të Qeverisë së Kosovës ndaj kërkesave të të punësuarve në arsimin e Kosovës, SBASHK-u vazhdon me veprimet sindikale, ashtu si është vendosur në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Drejtues. Pra, e marta e 20 shkurtit do të gjejë tërë arsimin e Kosovës në grevën dyorëshe”, thuhet në njoftim.

Lidhur me këtë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj do ta takojë sot kreun e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, për të diskutuar lidhur me gjendjen aktuale në arsim. Takimi pritet të mbahet sot në ora 15:00.