Shqipëria dhe Kosova po punojnë për organizimin e mbledhjes së ardhshme të përbashkët mes dy qeverive, pas një ndërprerjeje dyvjeçare, ndërsa paralelisht po analizojnë ecurinë e zbatimit të mbi 60 marrëveshjeve të nënshkruara mes tyre.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në një intervistë për Report TV, bëri të ditur se ende nuk ka një datë të përcaktuar për takimin, por theksoi se organizimi i tij është në proces.
“Ne kemi zhvilluar tetë mbledhje mes qeverive. Natyrisht që nuk ka pasur mbledhje në këto dy vitet e fundit, sepse në Kosovë ka pasur një proces zgjedhor. Ne po punojmë për të gjetur momentin e duhur për mbledhjen e radhës”, u shpreh Hoxha.
Ai nënvizoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë të konsoliduara në nivel institucional dhe vijojnë të ndiqen në të gjitha nivelet, pavarësisht mungesës së mbledhjeve të përbashkëta gjatë dy viteve të fundit.
Sipas ministrit, aktualisht po bëhet një analizë e marrëveshjeve të nënshkruara, për të evidentuar ato që janë zbatuar, ato që janë në proces dhe ato që kanë mbetur prapa.
“Po analizojmë marrëveshjet që janë zbatuar, ato që janë në zbatim e sipër dhe ato që mund të kenë mbetur prapa, në mënyrë që të kemi një pasqyrë të plotë se ku jemi, çfarë kemi bërë dhe çfarë kemi ende për të bërë”, deklaroi ai.
Hoxha u shpreh se krijimi i institucioneve të reja dhe proceset zgjedhore në Kosovë e kishin vështirësuar organizimin e takimit, ndërsa tashmë, me një qeveri me mandat të qartë katërvjeçar, krijohen kushtet për planifikim më të mirë të bashkëpunimit.
“Nuk kemi absolutisht asnjë arsye për të mos vijuar këtë marrëdhënie të ngushtë, e cila nuk është ndërprerë asnjëherë, as gjatë këtyre dy viteve”, tha ministri.
Hoxha gjithashtu konfirmoi se samiti i ardhshëm i NATO-s do të mbahet në Tiranë, ndërsa data e zhvillimit të tij mbetet për t’u përcaktuar në bashkëpunim me Sekretariatin e Aleancës dhe vendet anëtare.
Ai sqaroi se duhen dalluar dy çështje: vendimi për organizimin e samitit në kryeqytetin shqiptar, i cili është i konfirmuar, dhe përcaktimi i datës, që mbetet ende i hapur.mb
“Samiti i ardhshëm, kurdo që të mbahet, do të zhvillohet në Tiranë. Kjo është e përcaktuar, është e vendosur dhe është e padiskutueshme. Se kur do të mbahet, kjo çështje mbetet e hapur”, u shpreh Hoxha.
Ministri theksoi se kalendari do të vendoset bashkërisht nga aleatët, duke marrë në konsideratë momentin më të përshtatshëm dhe rëndësinë e çështjeve që do të diskutohen. Ai shtoi se Shqipëria e mirëkupton nëse vendet anëtare e konsiderojnë vitin 2027 shumë afër samitit të zhvilluar në Ankara.
Hoxha hodhi poshtë çdo lidhje të shtyrjes së mundshme me Shqipërinë apo kredencialet e saj, duke theksuar se bëhet fjalë për një vendim të përbashkët të aleatëve, me synimin që samiti të ketë sa më shumë peshë dhe përmbajtje.
Ai nënvizoi se Shqipëria është e gatshme të mirëpresë vendet anëtare dhe të prezantojë angazhimin e saj në forcimin e sigurisë rajonale, europiane dhe euroatlantike./atsh/
