Menu Close

Bajrami: Nga sot reduktimet e energjisë lejohen me vendim të Kuvendit

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se nga sot reduktimet e energjisë lejohen edhe me vendim të Kuvendit të Kosovës.

Duke komentuar vendimin e Kuvendit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë, ajo ka thënë se tash për 60 ditë, energjia mund të ndërpritet kurdo dhe kudo, sepse këtë e lejon Kuvendi me vendim.

“Pra, ky vendim nuk e përmirëson furnizimin me energji, ky vendim e mbron KEDS/KESCO-n nga paditë eventuale për dëmet që po bëhen nga ndërprerjet e energjisë elektrike. Po, vendimi e detyron edhe Ibër-Lepencin të prodhojë energji për Shërbimin Universal, por kapaciteti i instaluar i tij është vetëm rreth 30 MW. Tash mendojeni vetë sa mund të përmirësohet gjendja me 30 MW”, ka shkruar Bajrami.

Ajo ka thënë se vendimi mbi të gjitha vlen për t’i arsyetuar reduktimet, për blerjen e energjisë elektrike, duke anashkaluar rregullat e prokurimit publik e për kontraktimin e kompanive për investime e remonte në KEK, pa procedurat e zakonshme të prokurimit.

“Mos të harrojmë, masat emergjente për furnizim me energji u shpallën për herë të parë më 21 dhjetor 2021. Gati pesë vjet më vonë, ende po qeverisin me masa emergjente. Ndërkohë: – Nuk ka kontrata afatgjata për blerje të energjisë. – Remontet kanë dështuar dhe kontratat janë lidhur shumëfish më shtrenjtë. – Strategjia e Energjisë nuk po zbatohet. – Nuk janë ndërtuar kapacitete të reja gjeneruese”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Ajo ka thënë se për këtë situatë ka vetëm një zgjidhje: kapacitete të reja gjeneruse. “Jemi vonë, por nëse nuk fillojmë, kriza vetëm do të thellohet, shumë shpejt do të vijmë në pikën ku as qytetarët e as buxheti i Kosovës s’ka me i përballu faturat e energjisë”, ka shkruar ajo.

Related Posts