Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar protesta gjithëpopullore nëse vazhdon zvarritja e ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Përmes një reagimi, OVL-UÇK u ka bërë thirrje partive politike që t’i lënë anash dallimet dhe ta përfundojnë sa më shpejt këtë proces.
“Është tërësisht e papranueshme që kjo çështje kaq e rëndësishme të zvarritet për shkak të përplasjeve politike apo presionit të bashkësisë ndërkombëtare. Qeveria dhe shumica parlamentare duhet ta kenë të qartë se përgjegjësia e tyre është të veprojnë dhe të mos lejojnë që vonesat të bëhen pengesë për përfundimin e këtij procesi”.
Reagimi vjen pasi seanca e Kuvendit, ku pritej të votohej ligji, u shty deri në njoftimin e radhës.
Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar hartimin e një ligji të ri për Dhomat e Specializuara, drafti i parë i të cilit pritet të jetë gati javën e ardhshme.
