Kryeministri Albin Kurti ka thënë që në Pakon e Ringjalljes Ekonomike parashihet fuqizimi i grave në shoqëri dhe ekonomi.
Ai këtë e bëri të ditur në kuadër të forumit “Gratë në Ndërmarrësi”, me të cilin u hap Java e Ndërmarrësisë nën organizimin e Odës Amerikane të Kosovës.
“Gratë janë shumë më pak në ndërmarrësi krahasuar me burrat. Por, ato që janë, ta zëmë 11 për qind, ndoshta numërojnë sfida më shumë se sa rreth 90 për qind e burrave në ndërmarrësi”, ka thënë Kurti.
Kurti tha se logjika e suksesshme e disa grave ndërmarrëse ka qenë pikërisht se ato kanë ndërmarrë dhe nuk u është dhënë ofertë.
“Përderisa gratë dhe vajzat përbëjnë gjysmën e popullsisë së vendit tonë, nuk mund të pretendojmë rritje gjithëpërfshirëse pa inkuadrimin e tyre në tregun e punës, madje pa pjesëmarrje të tyre në vendimmarrje”.
“Andaj, në kuadër të Pakos së ringjalljes ekonomike, vëmendje të veçantë i është dhënë fuqizimit të grave në ekonomi e shoqëri. Me Masën 1.3 Mbështetja e punësimit të grave, kemi paraparë që secila grua që nuk ka qenë e punësuar në tre muajt e fundit e që është punësuar, t’i subvencionohet 50 për qind e pagës për tre muajt e parë, deri në maksimumin prej 150 euro në muaj”.
“Pas periudhës tre mujore grave të punësuara u subvencionohet kontributi pensional deri në qershor të vitit 2022”.