Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se gara në Skenderaj s’ishte e dëshiruar, por e imponuar.
Sipas tij PDK-ja nuk mundi ta shmangte garën në Skenderaj – bastion i partisë së tij.
Krasniqi tha se për PDK-në Skenderaj gjithmonë ka qenë i rëndësishëm, edhe pse në zgjedhjet para këtyre të fundit, kjo parti e mbështeti Bekim Jasharin, pasi ky garoi si i pavarur.
“S’ka qenë garë që kemi dëshiruar, ka qenë një garë është imponuar. Nuk kemi mundur që ta shmangim, sepse Skenderaj për PDK-në ka qenë gjithmonë e rëndësishme. Ndërlidhet me trashëgiminë dhe historinë tonë. Në katër vitet e kaluara e kemi mbështetur Jasharin edhe pse ka kandiduar si i pavarur”, është shprehur Krasniqi në T7.
E pas katër viteve, Krasniqi thotë se nuk mund të rrinte PDK-ja pa kandiduar në Skenderaj.
“Por, këtë herë dhe në këtë situatë nuk mund të rrimë dhe ta lëmë anash dhe pa adresë një bastion si Skenderaj”, tha Krasniqi.
“Në momentin kur u pamundësua kandidimi i Lushtakut normalisht që zgjidhja ishte tek Nura, meqenëse ky ka qenë nënkryetar i komunës, pastaj deputet i votuar në Skenderaj. Një djalë jashtëzakonisht i përgatitur dhe me cilësi absolute që i nevojitet një kryetari”, ka thënë Krasniqi.
Tutje, Krasniqi foli edhe për festimet në sheshin e Skenderajt, për të cilat tha se aktivistët e PDK-së e kanë të drejtën të jenë të ekzaltuar pas një fitoreje si ajo e natës së 17 tetorit.
“Ne s’jemi në garë kundër askujt, por për të ardhmen tonë. Ka qenë e domosdoshme që PDK-ja të jetë fituese në Skenderaj, në bastionin e saj tradicional. Ndërsa festimet kanë qenë për gëzimet për Skenderajn dhe për komunat tjera. Aktivistët e PDK-së nuk kanë qenë të kënaqur me rezultatin nga viti 2019, apo 2017, rrjedhimisht kanë të drejtë të jenë pak të ekzaltuar”, shtoi Krasniqi.