Petkoviç: Kurti pranoi ekzistencën e arkivave të UÇK-së

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka deklaruar se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më në fund ka pranuar ekzistencën e arkivave të UÇK-së dhe se është gati t’i hapë ato.

Sipas Petkoviç, kjo është mënyra e vetme për të bërë ndryshimin e shumëpritur në sqarimin e fatit të 1 mijë e 600 personave të zhdukur.

Petkoviç, më tej ka thënë se Beogradi i përmbushë të gjitha detyrimet e tij karshi dialogut Kosovë – Serbi.

“Beogradi është një partner absolutisht i besueshëm në përmbushjen e të gjitha detyrimeve të tij nga dialogu dhe një bashkëbisedues në bashkëpunimin në fushat që përfaqësojnë trashëgiminë e qytetërimit, siç është edhe kërkimi i të zhdukurve”, raporton agjencia e lajmeve serbe, Tanjug.

Reagimi i Petkoviç vjen pas deklaratës së Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili gjatë ditës së hënë pati deklaruar se është pro idesë së hapjes së arkivave shtetëror pasi sipas tij Kosova “s‘ka çfarë të fshehë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ceremonisë së hapjes së edicionit të 7-të të Shkollës Diplomatike

Pas pjesëmarrjes së Kurtit në edicionin e shtatë të Shkollës Diplomatike organizuar nga Akademia Diplomatike e Kosovës dhe Fondacionin Friedrich-Ebert, ai para mediave ka theksuar se me hapjen e arkivave, do të ndihmohej të gjendeshin të pagjeturit. Kryqeveritari insistoi se duhet të hapen edhe arkivat në Beograd sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Ne i kemi arkivat e shtetit tonë të cilat i përfshijnë ato gjatë luftës të UÇK-së dhe ne jeni shumë transparentë, mirëpo na duhet ta zbardhim fatin e të pagjeturve, e për këtë ne duhet të hapim arkivat në Beograd sepse vrasjet e varrosjet e masakrave e më pastaj zhvarrosjet nuk janë bërë nga qytetarët serbë por nga shteti i Serbisë në mënyrë të organizuara, e që janë në arkivat e Serbisë që duhet të hapen një orë e më parë”, është shprehur Kurti./Fokusi.info/