Komisioni Qendror Zgjedhor do të zhvillojë sot mbledhjen e radhës, duke filluar nga ora 13:00.
Edhe pse nuk u bë e ditur tema e saktë e diskutimit, në një prononcim për lajmi.net zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi ka deklaruar se në mbledhjen që do të zhvillohet sot do të paraqitet një raport nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve me disa rekomandime.
Këto rekomandime kanë të bëjnë me rinumërimin në rreth 500 vendvotime.
“Mund t’iu konfirmoj se në mbledhjen e sotme të KQZ-së do të paraqitet një raport nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve me disa rekomandime për rinumërim të rreth 500 vendvotimeve dhe natyrisht se anëtarët e KQZ-së do ta shqyrtojnë dhe do të marrin vendim meritor”, tha Elezi.
Gjithashtu u theksua se Qendra e Numërimit dhe Rezultateve ka ardhur deri te këto rekomandime pasi këto vendvotime nuk kanë mundur të kalojnë procesin e auditimit.
“Arsyet janë të ndryshme dhe kryesisht kanë të bëjnë me bartjen e gabuar të votave në formularin e subjekteve politike dhe formularin e kandidatëve; si dhe për shkak se në një numër të madh të vendvotimeve kandidati apo kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik”, shtoi ai.
Duhet përkujtuar Komisioni Qendror Zgjedhor ditë më parë bëri të ditur se do të rinumërohen edhe 14 qendra të votimit, ndërsa të njëjtit janë duke vazhduar punën në numërimin e votave me kusht dhe atyre nga diaspora.
Procesi i përgjithshëm i numërimit të votave është duke vazhduar deri në daljen e rezultateve finale.
Nga rezultatet e deritanishme Lëvizja Vetëvendosje është partia fituese me mbi 47%, derisa PDK u radhit si parti e dytë ndërsa LDK doli parti e tretë me 13%.