Mesazhi prekës i të riut një ditë para se të humbte betejën me COVID-19 (Video)

Në sallën e reanimacionit në COVID 2, nuk është e njëjta situatë si pak muaj më parë. Vështirë të mendosh se një djalë apo një vajzë e re, lufton për jetën pas infektimit me koronavirusin, që deri dje besonim se i rrezikonte jetën një moshe të thyer.

I tillë ishte dhe fati i 35 vjeçarit, që luftoi për t’i mbijetuar COVID-19, por që fatkeqësisht nuk ia doli. Report Tv, në një bisedë rastësore me të riun, përmes gazetares Migena Sotiri, një ditë përpara se ai të mbyllte sytë, arriti të dëgjonte dhe përcillte mesazhin e tij të fortë e të fundit.

“Isha në punë, punoja në një restorant edhe më kapi pa e ditur fare. Kisha një ngushtim në mushkëri, në frymëmarrje dhe më pas kisha këputje. Kam një mesazh për moshën e re, duhet të ketë shumë kujdes. Mua nuk ma priste mendja dhe nuk e besoja, por është një virus shumë shumë i rëndë”, u shpreh 35-vjeçari.

Report Tv u gjend brenda COVID 2, për të përcjellë atë pamje, që ndoshta rinia shqiptare jashtë mureve të spitalit dhe brenda mureve të lokaleve të tejmbushur, pa distancë, në kërcime qafë më qafë, nuk e shohin. Pamjen e të rinjve, që ndoshta dhe ata si bashkëmoshatarët e tyre jashtë, diku gabuan në respektimin e masave anti-COVID, aq sa e panë veten të pafuqishëm edhe për të marrë frymë. Me vështirësinë për të folur nga aparatura e oksigjenit, i riu na tregoi se ai punonte në një restorant që ata e kanë të gjithë si familje dhe aty është prekur nga COVID.

Për mjekët, ishte e pabesueshme që në gjendjen e tij, 35 vjeçari gjeti forcën të flasë përballë gazetares. Ndoshta ishte amaneti i tij, për të përcjellë fuqishëm mesazhin se sa e rëndësishme është jeta, që një ditë më pas ai do t’i jepte përfundimisht lamtumirën. “Ndryshe nga muajt e mëparshëm, po shohim një rritje të numrit të të rinjve të infektuar, që variojnë nga 24 në 58 vjeç, në reanimacion. Po vijnë me gjendje vërtetë të rënda. Gjithë spitali është në terapi intensive tashmë, po insistohet të gjithë me ndihmë, me monitorime, me respiratorë etj.

Ndoshta neglizhenca, mos mbajtja e maskës dhe distancimit social. Përfitoj nga rasti që të apeloj që tani nuk është më kriteri i moshës, po infektohen të gjithë, kujdesi duhet nga të gjithë sepse nuk mbrojmë vetëm veten, por edhe familjen dhe jetën. Do doja që të gjithë ta kuptonin se mbajtja e maskës është më mirë se mbajtja e maskës së oksigjenit. Kjo do të na bënte më koshient të gjithëve për të luftuar për më të mirën, ne kërkojmë fitoren e jetës” thonë mjekët.