Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik njofton se numri total i rasteve pozitive në Kosovë është 58.687 rraste nga 223.505 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.471 raste të vdekjes, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 51.337 raste kurse numri i rasteve aktive është 5.879.
Sipas IKSHPK-së, numri i rasteve pozitive vazhdon të jetë i lartë dhe këtë e sheh shumë brengosëse. Numri i lartë beson se po vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave.
Instituti përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
“IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19. Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike. Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në thirrjen e institutit.