Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, gjeneralmajor Roberto Vergori, ka zhvilluar sot një takim në Beograd me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneralin Milan Mojsilović.
Përmes një njoftimi zyrtar në Facebook, KFOR-i bëri të ditur se gjatë këtij takimi palët kanë theksuar rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm, koordinimit efektiv dhe mirëkuptimit të përbashkët.
Në njoftim thuhet më tej se misioni paqeruajtës vijon angazhimin konstruktiv me të gjithë akterët relevantë dhe partnerët ndërkombëtarë, duke ndërtuar marrëdhënie të bazuara në paanshmëri, profesionalizëm dhe respekt të ndërsjellë, si dhe duke garantuar komunikim transparent dhe në kohë.
Duke riafirmuar misionin e tij, KFOR-i ka theksuar se mbetet plotësisht i aftë dhe i përkushtuar për përmbushjen e mandatit të vazhdueshëm, në kuadër të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.
