Nagavci: LDK po i mashtron arsimtarët për pagat shtesë

Nga Vetëvendosje kanë reaguar pasi që qeveria vendosi që për mësimdhënësit të ndahen paga shtesë.

Arbërie Nagavci me anë të një postimi në Facebook ka thënë se LDK nuk e ka pasur asnjëherë prioritet arsimin, dhe se sipas saj ky vendim është tentim për t’i manipuluar mësimdhënësit.

Madje ka hedhur dyshime se këto premtime të qeverisë as që do të mbahen.

“Është koha e fundit kur duhet që arsimi të jetë prioritet me buxhet, me planifikim të mirëfilltë për të mbështetur mësimdhënësit e krijimin e kushteve për punë, për të garantuar siguri në shkolla, për të rritur bashkëpunimin dhe gjithëpërfshirjen”, ka shkruar Nagavci.

Postimi i plotë:

Kandidati për Kryeministër nga rradhët e LDK-së, zt. Avdullah Hoti paska premtuar se do të ndajë paga shtesë për punëtorët e arsimit.

E pra, LDK asnjëherë se ka pasur prioritet arsimin, madje kanë një përgjegjësi të madhe për gjendjen në të cilën ky sektor është. Dhe ajo që është më e rëndësishme, nuk mund t’i mashtroni e manipuloni mësimdhënësit, ata nuk shiten.

Punëtorët e arsimit janë të vetëdijshëm se me fraza të kota, premtime që s’i mbani, e manipulime e shfrytëzim në kohë fushate, nuk mund të përparojnë as individualisht e as kolektivisht.

Është koha e fundit kur duhet që arsimi të jetë prioritet me buxhet, me planifikim të mirëfilltë për të mbështetur mësimdhënësit e krijimin e kushteve për punë, për të garantuar siguri në shkolla, për të rritur bashkëpunimin dhe gjithëpërfshirjen.

Jo me premtime të kushtëzuara, por me dinjitet.