Menu Close

Kurti për Specialen në Paris: Kur s’je i kënaqur me vendimin bëj gjithë punën që duhet për Apelin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar edhe çështjen e drejtësisë ndërkombëtare dhe vendimet e Gjykatës Speciale në Hagë, gjatë një diskutimi në kuadër të Forumit të Paqes në Paris.

I pyetur për këtë çështje, pas dënimit të katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me gjithsej 81 vjet burgim, Kurti tha se të pakënaqurit me vendimin duhet që të ndjekin rrugën e apelit dhe të mos heqin dorë nga besimi në të vërtetën dhe kërkimi i drejtësisë.

“Sa i përket drejtësisë ndërkombëtare. Kur s’je i kënaqur me vendimin, bëj gjithë punën që duhet për Apelin dhe asnjëherë mos ndalo së besuari në të vërtetën dhe së punuari për drejtësi”, tha Kurti.

Përgjigjen e tij, kryeministri e dha në kuadër të diskutimeve në Forumin e Paqes në Paris, ku foli edhe për përvojën e Kosovës në rindërtimin pas luftës.

Ndryshe më 16 shtator të këtij viti, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallën aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Gjykata dënoi Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimin me 13 vjet burgim. Të katër u shpallën fajtorë për vepra penale që lidhen me ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen.

Aktgjykimi i shkallës së parë mund të kundërshtohet përmes procedurës së apelit.

Pas shpalljes së aktgjykimit, Qeveria e Kosovës mori vendim për formimin e një grupi punues ndërinstitucional, me detyrë hartimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e apelit për ish-krerët e UÇK-së.

Related Posts