Rreth 150 mijë lodra për fëmijë me origjinë nga Kina janë ndaluar të dalin në tregun e Kosovës, pasi gjatë kontrolleve është konstatuar se nuk i përmbushnin standardet e kërkuara të sigurisë.
Aksioni është realizuar nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, gjatë ditëve të fundit në pikat doganore.
Sipas njoftimit të IQMT-së, kontrolli është zhvilluar në kuadër të një aktiviteti të përbashkët të mbikëqyrjes së tregut në të gjitha vendet anëtare të CEFTA-s, me qëllim të parandalimit të hyrjes në treg të produkteve që nuk përmbushin standardet e sigurisë.
Gjatë inspektimit është konstatuar se lodrat e ndaluara nuk i plotësonin kërkesat themelore të përcaktuara me Rregulloren nr. 02/2017 për sigurinë e lodrave.
IQMT ka paralajmëruar se lodrat që nuk përmbushin standardet e përcaktuara me legjislacionin në fuqi mund të paraqesin rrezik serioz për sigurinë dhe shëndetin e fëmijëve.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se përmes IQMT-së do të vazhdojë kontrollet e produkteve që vendosen në treg, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të sigurisë së tyre.
