Kuvendi i Kosovës ka përzgjedhur një kompani për Auditimin e raporteve financiare dhe atyre të deklarimit financiar të fushatës së subjekteve politike për vitin 2017.
Auditimi do të kryhet brenda dy muajve, posa të nënshkruhet kontrata me kompanitë e përzgjedhura N.SH “Audit & Conto” Sh.p.k.
Vlera e buxhetit, e cila do të auditohet është jo më e vogël se 4.2 milion euro në total për vitin fiskal 2017, për 19 subjekte politike dhe koalicione, shkruan lajmi.net.
Për herë të fundit, Kuvendi i Kosovës kishte angazhuar auditor të jashtëm në vitin 2017 për auditimin e financave të partive politike për vitet 2013,2014,2015 dhe 2016.
Auditori kishte vërejtur se kontabiliteti i subjekteve politike, nuk mbahet ne softuerë adekuatë, por përmes exelit, ku të dhënat ishin vështirë të kalkuloheshin. Po ashtu, nga 50 raste, auditori ka mohuar opinionin apo 45 për qind te tyre. Dhe në 48 raste të tjera, auditori ka dhënë opinionin jo të mirë. Kjo kishte ndodhur për shkak se auditori nuk ka pasur në dispozicion materialin e nevojshëm për shqyrtim apo ka pasur mungesë tjetër të bashkëpunimit me entitete të auditimit.