Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës do të mbahet të enjten, duke filluar nga ora 10:00.
Ajo ka njoftuar se, përveç pikave të rregullta të rendit të ditës, deputetët do të shqyrtojnë edhe katër marrëveshje ndërkombëtare që kanë kaluar sot në Komisionin për Legjislacion dhe që lidhen me fushën e drejtësisë.
Pas shqyrtimit të këtyre marrëveshjeve,, do të mbahet edhe interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, e iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Nagavci është pyetur edhe për kthimin e projektligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend nga presidentja e Kosovës.
Ajo ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje është duke zhvilluar diskutime me PDK-në, si parti iniciuese e këtij projektligji, për të gjetur një pajtueshmëri lidhur me hapat e mëtejmë.
