Menu Close

Tahiri i kërkon Kurtit listën e 171 mjekëve të kthyer, premton listën e 170 të larguarve

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka komentuar mundësinë e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke thënë se nuk do të befasohej nëse Qeveria e Kosovës ndryshon qasjen për këtë çështje.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Tahiri i është referuar Marrëveshjes së Ohrit, të dakorduar në vitin 2023, në të cilën, sipas tij, thuhet se të gjitha marrëveshjet e mëhershme ndërkombëtare duhet të zbatohen, raporton KosovaPress.

“Qeveria e kaluar e ka miratuar Marrëveshjen e Ohrit. Në Marrëveshjen e Ohrit specifikisht thuhet se të gjitha marrëveshjet e deritanishme ndërkombëtare do të jenë të zbatueshme. Kjo marrëveshje është në ueb faqen e Bashkimit Evropian. Unë nuk befasohem në raport me këtë temë”, ka deklaruar Tahiri.

Reagimi i tij vjen pas deklaratave të ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili ditë më parë ka thënë se Qeveria e Kosovës mund të jetë më e gatshme për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pas fitores së Listës së Studentëve në zgjedhjet në Serbi, më 25 tetor.

Në të njëjtën konferencë, Tahiri ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të publikojë listën e 171 mjekëve për të cilët ka deklaruar se janë kthyer në Kosovë gjatë vitit 2025.

Ai ka thënë se largimi i personelit mjekësor dhe shëndetësor nga Kosova, veçanërisht drejt Gjermanisë dhe Zvicrës, është i dukshëm, duke përmendur edhe dy mjeke nga rrethi i tij familjar që, sipas tij, janë larguar për në Gjermani.

Tahiri ka kërkuar që Kurti të bëjë publikë emrat e profesionistëve të kthyer, duke u zotuar se nëse kjo ndodh, edhe ai do të publikojë një listë me rreth 170 profesionistë kosovarë që kanë ikur jashtë vendit.

“Për atë që ka ikje të personelit mjekësor dhe shëndetësor prej Kosovës, në veçanti në Gjermani dhe Zvicër, kjo nuk është sekret. Vetëm shihni në familjen tuaj, në shoqëri dhe gjeni nga një person. Vetëm kur po mendoj tash, po më bie ndërmend se doktoresha Rina, kushërira ime, është në Gjermani dhe doktoresha shumë e mirënjohur, Zana Luci, edhe ajo është në Gjermani. Unë nuk po e di asnjë emër që ka ardhur dhe është duke punuar në Kosovë. Qejf kisha pasur dhe këtë nuk e di. Kërkoj nga kryeministri publikisht të na tregojë listën prej 171 vetash. Në momentin që ai e publikon, unë do të publikoj listën e nja 170 kosovarëve që kanë shkuar jashtë vendit”, ka thënë Tahiri.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar se gjatë vitit 2025 në Kosovë janë kthyer 171 mjekë. Kjo shifër nxiti debat publik, ndërsa Ministria e Shëndetësisë sqaroi se bëhet fjalë për 171 profesionistë shëndetësorë, prej të cilëve 12 janë shtetas të Kosovës të kthyer pas specializimeve jashtë vendit, ndërsa 159 janë me shtetësi të huaj ose të dyfishtë, të pajisur me licenca për të punuar në Kosovë.

Related Posts