Menu Close

Arsim Bajrami me tetë propozime për fazën e Apelit për krerët e UÇK-së

Ish-ministri dhe ish-anëtari i PDK-së, Arsim Bajrami ka dalur me tetë propozime për mbrojtje në gazën e Apelit për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

Sipas tij, komisioni i propozuar duhet të përbëhet nga gjyqtarë dhe ish-gjyqtarë, prokurorë, avokatë penalistë, profesorë të së drejtës penale dhe ekspertë të së drejtës penale ndërkombëtare.

Ky është propozimi i plot nga Arsim Bajrami:

Propozim për mobilizimin e ekspertizës juridike vendore dhe për një angazhim të koordinuar institucional të Republikës së Kosovës

Beteja e ardhshme është ekskluzivisht juridike
Me afrimin e fazës së ankimimit ndaj aktgjykimit të shkallës së parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës, duhet të kuptohet qartë se procesi i ardhshëm përbën një nga sfidat më të rëndësishme juridike, institucionale dhe historike për Republikën e Kosovës.Në këtë fazë, beteja duhet të zhvillohet para së gjithash në rrafshin juridik, përmes argumenteve profesionale, provave konkrete, analizës kritike të aktgjykimit dhe identifikimit të të gjitha shkeljeve të mundshme materiale dhe procedurale të gjykimit të shkallës së parë.Kosova nuk ka më kohë për të humbur. Nuk kemi kohë për pritje, për deklarata politike të përsëritura apo për debate që nuk prodhojnë rezultate konkrete juridike. Nuk duhet të presim përfundimin e strategjive të përgjithshme politike, ndërkohë që ekipet e mbrojtjes kanë përpara afate të kufizuara dhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë për përgatitjen e parashtresave ankimore.Duhet të kuptohet se mbrojtja e pafajësisë së të akuzuarve nuk mund të realizohet vetëm përmes deklaratave politike, protestave apo vlerësimeve historike për luftën e UÇK-së. Ajo duhet të argumentohet përmes mjeteve të së drejtës penale, së drejtës penale ndërkombëtare, provave bindëse dhe standardeve të gjykimit të drejtë.Prandaj, në këtë moment, Kosova duhet ta zhvendosë qendrën e angazhimit të saj nga mobilizimi politik në mobilizimin juridik dhe profesional.
Ngritja urgjente e një komisioni shtetëror të ekspertëve juridikë
Masa e parë dhe më urgjente që duhet të ndërmarrë Republika e Kosovës është krijimi i një komisioni të posaçëm ekspertësh juridikë, me mandat të qartë, përbërje profesionale dhe afat të kufizuar kohor.Ky komision duhet të përbëhet nga gjyqtarë dhe ish-gjyqtarë me përvojë të dëshmuar, prokurorë, avokatë penalistë, profesorë të së drejtës penale dhe ekspertë të së drejtës penale ndërkombëtare, të cilët kanë kompetencë profesionale për të analizuar në mënyrë kritike aktgjykimin dhe procesin gjyqësor.Komisioni duhet të jetë profesional, pluralist, i pavarur në vlerësimet e tij dhe i çliruar nga ndikimet partiake dhe kalkulimet politike.
Mandati i tij duhet të jetë konkret:
Të bëjë analizën e plotë juridike të aktgjykimit të shkallës së parë.
Të identifikojë shkeljet e mundshme të së drejtës materiale dhe procedurale.
Të analizojë mënyrën e administrimit, vlerësimit dhe interpretimit të provave.
Të shqyrtojë nëse përgjegjësia individuale penale është provuar sipas standardit të kërkuar.
Të analizojë bazën juridike të pretendimeve për përgjegjësi komanduese dhe format e tjera të përgjegjësisë penale.
Të identifikojë kundërthëniet ndërmjet provave, dëshmive dhe konstatimeve të trupit gjykues.
Të shqyrtojë mundësitë procedurale për paraqitjen e provave shtesë dhe dëgjimin e dëshmitarëve të rinj në apel.
Të përgatisë një dokument gjithëpërfshirës juridik, i cili mund t’u vihet në dispozicion ekipeve të mbrojtjes si ekspertizë plotësuese për përgatitjen e ankesave.
Ky dokument duhet të jetë një ekspertizë juridike kosovare, e ndërtuar mbi analizën e provave, legjislacionit të zbatueshëm, praktikës gjyqësore dhe standardeve ndërkombëtare.Ekspertiza juridike vendore ka rëndësi të veçantë, sepse ekspertët kosovarë njohin drejtpërdrejt kontekstin historik, institucional, politik dhe juridik në të cilin është zhvilluar lufta e UÇK-së.Një kusht thelbësor është që puna e komisionit të zhvillohet paralelisht dhe në koordinim profesional me ekipet e mbrojtjes, pa pritur përfundimin e dokumentit të tij. Afatet individuale të ankimimit duhet të respektohen në çdo rrethanë. Dokumenti i komisionit duhet të shërbejë si material plotësues për mbrojtjen dhe jo si kusht apo pengesë për dorëzimin me kohë të ankesave.Për këtë arsye, propozoj që komisioni të fillojë punën menjëherë dhe ta përfundojë ekspertizën brenda muajit nëntor, në përputhje me afatet konkrete procedurale.
Drejtimet themelore të mbrojtjes juridike në shkallën e dytë
Strategjia ankimore duhet të jetë ofensive, sistematike dhe e mbështetur në prova. Ajo nuk duhet të kufizohet në kundërshtime të përgjithshme ndaj aktgjykimit, por duhet të sfidojë në mënyrë të individualizuar çdo pikë të akuzës dhe çdo përfundim juridik të trupit gjykues.
Mbrojtja duhet të përqendrohet në këto çështje themelore:
Së pari, konstatimi i gabuar ose i paplotë i gjendjes faktike.
Duhet të analizohet nëse trupi gjykues i ka vlerësuar drejt provat e administruara, nëse ka nxjerrë përfundime që nuk mbështeten në prova të mjaftueshme dhe nëse ka injoruar prova që mund të jenë vendimtare për pafajësinë e të akuzuarve.Çdo pikë e aktakuzës duhet të shqyrtohet veçmas. Për secilin pretendim duhet të identifikohen faktet që e mbështesin, faktet që e kundërshtojnë dhe mangësitë në arsyetimin e trupit gjykues.
Së dyti, kundërshtimi i përgjegjësisë individuale penale.
Duhet të argumentohet se përgjegjësia penale është individuale dhe se ajo nuk mund të ndërtohet mbi pozita politike, reputacion publik, funksione ushtarake apo supozime të përgjithshme për ndikimin e të akuzuarve.Në veçanti, duhet të shqyrtohen elementet juridike të secilës formë të përgjegjësisë penale që u është atribuuar të akuzuarve, përfshirë përgjegjësinë individuale, përgjegjësinë komanduese dhe format e përgjegjësisë së përbashkët, nëse ato janë zbatuar në aktgjykim.Duhet të analizohet nëse janë vërtetuar të gjitha elementet përbërëse të veprave penale dhe nëse është provuar lidhja juridike dhe faktike ndërmjet veprimeve konkrete të secilit të akuzuar dhe krimeve për të cilat është dënuar.
Së treti, analiza kritike e provave dhe besueshmëria e dëshmitarëve.
Mbrojtja duhet të analizojë me kujdes besueshmërinë, qëndrueshmërinë, koherencën dhe përputhshmërinë e dëshmive me provat e tjera materiale.Duhet të shqyrtohet prejardhja e dëshmive, kushtet në të cilat janë marrë, mundësia e ndikimit mbi dëshmitarët, kundërthëniet ndërmjet deklaratave të tyre dhe çdo element tjetër që mund të ndikojë në besueshmërinë e provave.Asnjë dëshmi nuk duhet të pranohet si e pakontestueshme vetëm për shkak se është paraqitur nga një dëshmitar i caktuar. Ajo duhet të vlerësohet në kontekstin e tërësisë së provave dhe në përputhje me standardet e procesit të rregullt gjyqësor.
Së katërti, argumentimi i kontekstit historik dhe juridik të luftës në Kosovë.
Mbrojtja duhet ta argumentojë në mënyrë të dokumentuar kontekstin e luftës së Kosovës, karakterin çlirimtar të saj dhe rrethanat e represionit sistematik të ushtruar nga aparati shtetëror serb kundër popullsisë shqiptare.Duhet të dokumentohet se UÇK-ja u formua në rrethana të represionit, të mohimit të të drejtave themelore dhe të dhunës shtetërore, si organizim i rezistencës dhe i mbrojtjes së popullsisë.Ky kontekst është i domosdoshëm për të kuptuar motivet, qëllimet dhe natyrën e luftës, por nuk duhet të përdoret si zëvendësim i analizës së përgjegjësisë individuale penale. Karakteri çlirimtar i luftës nuk e përjashton automatikisht përgjegjësinë për ndonjë vepër individuale, nëse ajo provohet sipas ligjit.Ajo që duhet të kundërshtohet me argumente dhe prova është çdo përpjekje për të identifikuar karakterin e organizimit çlirimtar me ekzistencën e një politike apo plani kriminal.
Së pesti, analiza e strukturës organizative dhe komanduese të UÇK-së.
Një nga çështjet më të rëndësishme juridike është mënyra se si është interpretuar organizimi i UÇK-së, struktura e saj komanduese, autoriteti real dhe marrëdhëniet ndërmjet strukturave politike dhe ushtarake.Mbrojtja duhet të ofrojë dokumentacion historik, ushtarak dhe institucional, si dhe dëshmi konkrete për të sqaruar natyrën e organizimit të UÇK-së, shkallën e institucionalizimit të saj, mënyrën e funksionimit të strukturave dhe kufijtë realë të autoritetit të individëve.Nuk mjafton as pohimi i përgjithshëm se nuk ka ekzistuar hierarki komanduese, as supozimi se një pozitë e caktuar nënkupton automatikisht kontroll efektiv mbi çdo pjesëtar apo njësi. Çështja duhet të provohet në mënyrë konkrete dhe të individualizuar, sipas kritereve juridike të përgjegjësisë penale.
Së gjashti, kundërshtimi i pretendimit për ekzistencën e një plani apo qëllimi kriminal.
Mbrojtja duhet të shqyrtojë nëse ka pasur prova konkrete për ekzistencën e ndonjë politike, plani apo ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, nëse janë vërtetuar elementet juridike të saj dhe nëse është provuar lidhja individuale e secilit të akuzuar me veprimet e pretenduara.Nëse gjatë luftës ka pasur ndonjë veprim kriminal individual nga persona të caktuar, kjo nuk mund të shndërrohet automatikisht në përgjegjësi kolektive të një organizimi të tërë dhe as në përgjegjësi penale të drejtuesve të tij pa provimin e elementeve përkatëse ligjore.
Strategji më e fuqishme e provave dhe e dëshmitarëve në përputhje me procedurën ankimore
Një nga mësimet kryesore që duhet nxjerrë nga procesi i shkallës së parë është domosdoshmëria e një strategjie më të gjerë, më konkrete dhe më të diversifikuar të provave.Mbrojtja nuk duhet të mbështetet kryesisht në dëshmitarë të nivelit të lartë politik apo në personalitete të njohura ndërkombëtare, të cilët mund të dëshmojnë për kontekstin historik dhe politik të luftës, por jo domosdoshmërisht për ngjarjet konkrete, vendndodhjet, zinxhirët e komunikimit dhe veprimet individuale.Për këtë arsye, duhet të bëhet një inventar i plotë i dëshmitarëve të mundshëm nga Kosova, përfshirë dëshmitarë okularë, ish-pjesëtarë të UÇK-së, përfaqësues institucionalë, persona që kanë njohuri të drejtpërdrejta për ngjarjet konkrete dhe ekspertë të fushave përkatëse.Mbrojtja duhet të synojë ndërtimin e një baze të fuqishme provuese, e cila do të mundësojë kundërshtimin konkret të pretendimeve të aktakuzës dhe të përfundimeve të aktgjykimit.Megjithatë, duhet të kemi parasysh një dallim thelbësor procedural: ankimi nuk është përsëritje automatike e gjykimit të shkallës së parë dhe as një mundësi e pakufizuar për administrimin e të gjitha provave nga fillimi.Prandaj, ekipet e mbrojtjes duhet të analizojnë me kujdes dispozitat përkatëse të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Rregullave të Procedurës dhe të Provave, për të identifikuar bazat konkrete mbi të cilat mund të kërkohet pranimi i provave shtesë, dëgjimi i dëshmitarëve të rinj ose mbajtja e seancave plotësuese.
Në këtë drejtim, duhet të argumentohen veçanërisht:
Pse prova e propozuar është relevante dhe materiale për vendimmarrjen.
Pse ajo nuk është administruar në shkallën e parë, kur kjo është juridikisht e rëndësishme.
Çfarë ndikimi mund të ketë ajo në konstatimet faktike dhe juridike të aktgjykimit.
Cilat përfundime të trupit gjykues mund të ndryshojnë nëse prova pranohet.
Pse dëgjimi i dëshmitarit konkret është i domosdoshëm për sqarimin e një çështjeje vendimtare.
Nëse plotësohen kushtet procedurale, mbrojtja duhet të kërkojë pranimin e provave shtesë, dëgjimin e dëshmitarëve dhe, kur është e nevojshme, mbajtjen e seancave përkatëse.Po ashtu, duhet të shqyrtohet mundësia e kthimit të çështjes në rigjykim, nëse shkeljet e konstatuara dhe dispozitat procedurale e bëjnë këtë mjet juridik të nevojshëm.Qëllimi nuk është thjesht shtimi i numrit të dëshmitarëve. Qëllimi është që çdo dëshmi dhe çdo provë të ketë rëndësi konkrete juridike dhe të kontribuojë në rrëzimin e një pretendimi të caktuar të aktgjykimit.
Transparenca dhe monitorimi ndërkombëtar i Dhomave të Specializuara
Një dimension tjetër i rëndësishëm është nevoja për transparencë dhe monitorim të pavarur të respektimit të standardeve ndërkombëtare të gjykimit të drejtë.Republika e Kosovës duhet t’u drejtohet shteteve donatore të Dhomave të Specializuara, duke kërkuar që të mbështesin angazhimin e organizatave prestigjioze ndërkombëtare për monitorimin e procesit gjyqësor dhe të respektimit të të drejtave të njeriut.
Ky monitorim duhet të përfshijë në veçanti:
Respektimin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Respektimin e prezumimit të pafajësisë.
Barazinë e armëve ndërmjet akuzës dhe mbrojtjes.
Respektimin e së drejtës për mbrojtje efektive.
Administrimin dhe vlerësimin e paanshëm të provave.
Respektimin e parimit të gjykimit të drejtë dhe brenda një afati të arsyeshëm.
Transparencën institucionale dhe llogaridhënien për mënyrën e funksionimit të gjykatës.
Në këtë kontekst duhet të merren seriozisht edhe vlerësimet dhe shqetësimet e organizatave profesionale ndërkombëtare, përfshirë Odën e Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, duke i analizuar rekomandimet dhe gjetjet e tyre konkrete.Monitorimi nuk duhet të jetë ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit dhe as përpjekje për të ndikuar në vendimmarrjen e gjyqtarëve. Ai duhet të shërbejë për të garantuar respektimin e standardeve të gjykimit të drejtë dhe për të rritur besimin në procesin gjyqësor.
Angazhimi diplomatik dhe institucional i Republikës së Kosovës
Në këtë fazë kërkohet një angazhim i koordinuar i institucioneve më të larta shtetërore.Presidentja e Republikës së Kosovës, Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme duhet të ndërmarrin hapa urgjentë për të komunikuar me shtetet donatore të Dhomave të Specializuara dhe me shtetet mike që kanë mbështetur pavarësinë e Kosovës.Ky komunikim duhet të zhvillohet përmes letrave zyrtare, takimeve diplomatike dhe kontakteve të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e këtyre shteteve.Në këto komunikime duhet të paraqiten shqetësimet legjitime të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës për procesin gjyqësor, për respektimin e standardeve ndërkombëtare dhe për çështjet juridike që dalin nga aktgjykimi i shkallës së parë.
Në veçanti, duhet të kërkohet:
Mbështetja për monitorim të pavarur ndërkombëtar të respektimit të të drejtave të njeriut.
Transparencë më e madhe për funksionimin e Dhomave të Specializuara.
Angazhim i organizatave prestigjioze për vlerësimin e standardeve të gjykimit të drejtë.
Mbështetje për ekspertizë juridike ndërkombëtare të pavarur.
Respektim i plotë i garancive procedurale dhe i të drejtave të mbrojtjes.
Kosova duhet të veprojë si shtet serioz, me argumente juridike dhe me përgjegjësi institucionale, duke shmangur çdo veprim që mund të interpretohet si presion politik mbi gjykatën.
Mësimi nga përvoja kroate: analiza juridike e rastit Gotovina dhe Markač
Në përgatitjen e strategjisë së re duhet të analizohet në mënyrë të veçantë përvoja e Kroacisë në proceset gjyqësore që lidhen me luftën e saj dhe me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.Veçanërisht i rëndësishëm është rasti i gjeneralëve kroatë Ante Gotovina dhe Mladen Markač, të cilët në shkallën e parë ishin dënuar, ndërsa më 16 nëntor 2012, Dhoma e Apelit e Tribunalit i liroi nga akuzat përkatëse dhe rrëzoi dënimet e shkallës së parë.Ky rast duhet të studiohet jo vetëm si përvojë historike dhe politike, por para së gjithash si precedent i rëndësishëm për analizën e standardeve të vlerësimit të provave dhe të përgjegjësisë penale.
Në veçanti, ekspertët kosovarë duhet të analizojnë:
1.Si u sfiduan konstatimet faktike të shkallës së parë.
Si u trajtuan provat mbi të cilat ishte mbështetur përfundimi për ekzistencën e një plani të përbashkët kriminal.
3.Çfarë rëndësie mori standardi i vlerësimit të provave në shkallën e apelit.
Si u analizua lidhja ndërmjet veprimeve individuale dhe përgjegjësisë penale.
Cilat ishin arsyet juridike që çuan në rrëzimin e dënimeve.
Çfarë mund të nxirret nga kjo përvojë për strategjinë ankimore në rastin e krerëve të UÇK-së.
Ky studim duhet të jetë konkret dhe i mbështetur në tekstin e aktgjykimit të shkallës së parë dhe në aktgjykimin e apelit të Tribunalit, jo në interpretime të përgjithshme politike.Përvoja kroate nuk duhet të kopjohet mekanikisht, sepse secili proces ka specifikat e veta faktike dhe juridike. Megjithatë, ajo dëshmon se një analizë e thellë profesionale e provave dhe e arsyetimit gjyqësor mund të ketë rëndësi vendimtare në procesin ankimor.Mësimi kryesor është se një mbrojtje e fuqishme nuk ndërtohet vetëm me deklarata politike dhe argumente historike, por me ekspertizë të thellë juridike, dokumentacion të besueshëm dhe kundërshtim sistematik të çdo prove dhe konstatimi të kontestueshëm.
Kosova nuk ka kohë për të humbur
Procesi ankimor në Dhomat e Specializuara kërkon një qasje të re, urgjente dhe të organizuar. Kjo nuk është koha për përplasje partiake, deklarata të zakonshme politike apo iniciativa që nuk prodhojnë rezultate konkrete.Kjo është koha për ekspertizë juridike, për mobilizim të kapaciteteve më të mira profesionale të Kosovës dhe për një angazhim të koordinuar institucional.Republika e Kosovës duhet ta kuptojë se mbrojtja e krerëve të UÇK-së në këtë fazë nuk mund të mbetet vetëm përgjegjësi e ekipeve individuale të avokatëve. Shteti duhet të krijojë kushtet për ofrimin e ekspertizës vendore, dokumentacionit historik dhe institucional dhe analizave juridike që mund t’i ndihmojnë ekipet e mbrojtjes, pa cenuar autonominë e tyre profesionale dhe pavarësinë e gjykatës.
Në këtë drejtim, propozoj që menjëherë të ndërmerren këto veprime:
Të themelohet komisioni shtetëror i ekspertëve juridikë.
Të përgatitet brenda muajit nëntor një dokument gjithëpërfshirës për shkeljet e mundshme materiale dhe procedurale të evidentuara në procesin e shkallës së parë.
Të vihet ky dokument në dispozicion të ekipeve të mbrojtjes si ekspertizë plotësuese juridike.
Të identifikohen dëshmitarët dhe provat shtesë që mund të pranohen sipas rregullave të procedurës ankimore.
Të angazhohen ekspertë ndërkombëtarë për analizën e çështjeve më komplekse juridike.
Të kërkohet monitorim i pavarur ndërkombëtar për respektimin e standardeve të gjykimit të drejtë.
Të aktivizohet diplomacia kosovare në raport me shtetet donatore dhe shtetet mike të Kosovës.
Të studiohet në mënyrë të specializuar përvoja e rastit Gotovina dhe Markač, me qëllim të identifikimit të argumenteve dhe standardeve juridike që mund të jenë relevante për procesin aktual.
Një çështje duhet të jetë e qartë: puna e komisionit shtetëror nuk duhet të presë dhe as të vonojë punën e ekipeve të mbrojtjes. Të dy proceset duhet të zhvillohen paralelisht, sepse respektimi i afateve procedurale është kusht themelor për efektivitetin e çdo strategjie ankimore.Duhet të jemi të vetëdijshëm se kemi përpara një betejë të vështirë, komplekse dhe me pasoja të mëdha juridike, historike dhe shtetërore. Për këtë arsye kërkohen seriozitet, profesionalizëm, unitet institucional dhe vendosmëri.Lufta e UÇK-së duhet të mbrohet përmes së vërtetës historike, ndërsa pafajësia e të akuzuarve duhet të argumentohet përmes provave dhe standardeve të së drejtës penale.
Tani nuk është koha për një betejë politike. Është koha për një betejë juridike, të organizuar, ofensive dhe profesionale.Kosova duhet të veprojë menjëherë, sepse çdo ditë e humbur mund të jetë një mundësi e humbur për ndërtimin e një mbrojtjeje më të fuqishme. Nuk kemi kohë për të humbur. Tani është koha për veprim shtetëror, profesional dhe juridik.

Related Posts